“Opozita duhet ta ‘krijojë’ një Jabllanoviq, nëse dëshiron të ketë sukses në protesta”

E publikuar: 10/09/2015 21:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dallimet qe ekzistojnë në mes partive opozitare, me mënyrën e reagimit përballë veprimeve të Qeverisë së Kosovës, po bëjnë që opozita kosovare të mos jetë kompakte, vlerësojnë analistët politikë. Sipas tyre, vetëm nëse opozita krijon një kauzë të qartë për të protestuar, si në rastin e ish-ministrit Aleksandar Jabllanoviq, atëherë mund t’i nxjerr njerëzit në rrugë.
Analisti Nexhmendin Spahiu mendon që në një shoqëri si kjo e Kosovës, opozita e ka tepër të vështirë të veprojë meqë, sipas tij, njerëzit e këtij vendi e kanë një prirje ta përkrahin të fortin.

Ai ka thënë për Telegrafin se të fortët zakonisht janë ata që e kanë pushtetin dhe mekanizmat kryesorë të tij, duke shtuar se frika nga të qënurit në opozitë ka bërë që disa herë në Kosovë të krijohen koalicione joparimore dhe jofunksionale.

“Ngritja e zërit opozitar, edhe përmes daljes në rrugë, synon që partitë opozitare – përveç ruajtjes se elektoratit që e kanë – të ndikojnë te pjesa tjetër e popullatës që të ushqehet shpresa se ata një ditë do të vijnë në pushtet”, ka thënë ai.

Por, Spahiu thekson se partitë opozitare në Kosovë e kanë të vështirë të jenë një zë.

“Shembull e kemi Lëvizjen Vetëvendosje, e cila për nga koncepti politik dallon shumë nga partia e Haradinajt (AAK) dhe ajo e Limajt (NISMA). Rrjedhimisht, kjo e bën të vështirë harmonizimin e tyre”, ka shtuar Spahiu

Analisti Imer Mushkolaj, i pyetur se a ka koordinim në mes të partive opozitare për mënyrën se si do të reagojnë ndaj asaj që ata po e konsiderojnë të dëmshme për vendin, shprehet se opozita duhet ta krijojë një arsye të fuqishme, si rasti me Jabllanoviqn që kishte fyer nënat gjakovare, e ku kërkesa e tyre për largimin e tij kishte dhënë rezultate konkrete.

“Një pjesë e opozitës kam bindjen se dëshiron që të jetë aktive në protesta, në mënyrë që ta kthjell elektoratin e saj, duke mos ngelur prapa me partitë tjera. Pa dashur që të paragjykojë, mirëpo nëse nuk ‘krijohet’ një Jabllanoviq tjetër, vështirë se protestat e opozitës do të jenë masive”, thotë ai për Telegrafin.

Ndryshe, opozita kosovare ka lajmëruar të organizojë protesta të cilat, sipas tyre, do të jenë masive dhe mbarëpopullore. Derisa partia më e madhe opozitare, LVV, thekson se nuk e përjashtojnë dhunën si alternativë në reagimin e tyre ndaj vendimeve të ekzekutivit kosovar, dy paritë tjera opozitare, AAK dhe Nisma për Kosovën, kanë theksuar nuk e përkrahin dhunën. Madje, VV shprehet se arsyeja kryesore e protestës së tyre është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, ndërsa për AAK-në problemi kryesor është demarkacioni me Malin e Zi.