Pacolli: Kjo qeveri është për Libër të Genisit

E publikuar: 09/09/2015 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, thotë se partia e tij nuk e ka pritur humbjen në zgjedhjet e fundit.

Ai thotë se kjo qeveri duhet të hyjë në Libër të Genisit për shkak të numrit të madh të ministrave e zëvendësministrave.

Pacolli ka thënë se ai dëshiron “të jetë pjesë e problemeve”, në mënyrë që të marr pjesë edhe në zgjidhjen e tyre.

“E ndiej shpirtërisht se duhet të jem pjesë e problemeve. Unë çdo ditë shkruaj dhe mundohem të lëshoj një informatë me shpresë që dikush do ta analizojë në mënyrë të drejtë. Mundohem që me ato mjete që posedoj, pra me rrjete sociale, keni një mori shkrimesh ku e trajtoj nga një problem”, ka thënë Pacolli, në emisionin “Debat” në RTK.

Pacolli ka thënë se në Kosovë nuk po ndodhë as punësim as rritje ekonomike. Ai thotë se kjo qeveri nuk ka asnjë projekt dhe se të gjitha projektet i ka të qeverisë së kaluar.

“Në Kosovë nuk ka rritje ekonomike, nuk ka rritje të punësimit. Ne jemi duke shkuar mbrapa. Edhe një herë po them se me krejt çka lavdërohet kjo qeveri, janë të gjitha projekte të qeverisë së shkuar”, ka thën Pacolli.

Ka folur edhe një herë për qeverinë e kaluar. Përsëriti se nuk ka pasur hapësirë për të vepruar.

“E fajësoj shumë partnerin e koaliconit PDK’në, e fajësoj shumë Thaçin që nuk më ka dhënë hapësirë për të vepruar”, ka thënë ai.

“Kjo qeveri është për Libër të Genisit. Është qeveria me më së shumti ministra e zëvendësministra”, ka thënë Pacolli.