Analisti politik dhe publicisti, Halil Matoshi konsideron se Kosovës më shumë se buka e uji, i duhet një forcë e re politike. Ai në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic thekson se gratë dhe burrat e fortë të Kosovës duhet të organizohen në një organizatë politike kundër këtij pushteti, që siç e ka quajtur ai kakistokraci.
Matoshi flet edhe paralajmërimin e Albin Kurtit për protesta të fuqishme, duke i goditur rëndë ata. Sipas Matoshit, udhëheqësit e Vetëvendosjes janë politikanë agresiv.
“Ai (Albin Kurti) me trupat e tij edhe mund t’i duken dikujt “të fuqishëm” ndoshta edhe të ‘nershëm’, por për qytetarin e edukuar kosovar, ata janë vetëm politikanë agresivë që duan përmes frikës ku nuk u ndez bindja ta marrin pushtetin politik në duar, pa asnjë vizion për zhvillim e mirëqenie, pa asnjë ide për liritë themelore civile dhe për të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Ata me pasë mundësi sot e dekretojnë “Revolucionin kulturor” të Maos”, ka thënë Matoshi.
Ai ka vlerësuar edhe sjelljen e sotme të Ramush Haradinajt, i cili e quajti peder kryetarin e Komisionit Qeveritar për demarkacionin me Malin e Zi, Muratën Mehën.
Sipas tij, një individ që pretendon të jetë burrështetas, sikurse Ramush Haradinaj, nuk bën që të përdor këtë gjuhë, për siç ka thënë ai “disa ” metra katrorë tokë.
Më shumë se buka e uji, Kosovës i duhet një forcë e re politike
Z. Matoshi në opinion po qarkullon ideja e krijimit të një fronti politik, ku përpos opozitës do të bënin pjesë edhe individë nga shoqëria civile dhe mediet. Si e shihni një ide të tillë?
Halil Matoshi: Duke e parë dhe jetuar këtë realitet të zymtë kur ndeshen një Qeveri që të vetmen levë e ka pushtetin personal dhe të klienteles dhe një opozitë fare të shkretë mendërisht dhe të vetmjaftueshme në pikëpamjet politike të shekullit të kaluar, në Kosovë para se bukë dhe ujë, ka nevojë për një organizatë politike të re, jo të strukturuar kombëtarisht dhe fetarisht e rajonalisht, por shoqërisht të organizuar në nivel të qytetarisë kosovare (në parimet e solidarësisë qytetare.)
Por a do të bashkohen gratë dhe burrat e fortë të Kosovës në një organizatë kundër pushtetit personal të kësaj klase politike, kundër kakistokracisë (pushtetit të bërë nga qytetarët më të ligj të këtij atdheu) nuk varet vetëm nga vullneti i tyre për t’i shërbyer shoqërisë kosovare, por mbi të gjitha nga ambasadat e Perëndimit që po sillen në Kosovë si pengmarrës të demokracisë dhe në shërbim të kësaj klase politike – që u duket se po u kryen punë sot – por për nesër, jam i sigurt, se do të ndihen të koritur edhe perëndimorët dhe eksponentëve të po këtij Perëndimi, do t’u shkojnë flokët thik’ përpjetë, kur ta marrin vesh se më kë kanë bashkëpunuar në Kosovë!
Dhe së dyti, është e zorshme kjo punë, sepse milicitë sekrete (falangat) e partive aktuale politike në Kosovë, do të rrotullojnë gur e dru dhe s’do t’i lënë bashkë të veprojnë ata që dinë dhe që kanë vullnet të punojnë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, sepse klasa aktuale politike dhe njerëzit e saj në pushtet ndihen të humbur, të përmbysur madje dhe të pa falemnderueshëm në historinë e kosovarëve.
E çfarë do të thoshte Rexhep Qosja pastaj si dhe shumë kauzi-patriotë që e pasojnë atë dhe kauzën e tij të shpifur, e që organizatën bazë të PPSH-së e kishin në Tiranë? Prandaj është zor të mblidhen njerëzit që e duan këtë vend, as si krahinë të Shqipërisë dhe as si “Juzna Srpska pokrajnina” por si vend të demokracisë dhe lirive qytetare dhe mirëqenies ekonomike…
A do të ishte ky front mundësia e vetme për ndërrimin e këtij pushteti të korruptuar?
Halil Matoshi: Eh, pyetje njëmilionëshe. Është e pamundur ta rrënosh me të parën një konjukturë e cila për 16 vjet më radhë është në pushtet, kurse ideologjiksisht e ndërtuar mbi enverizmin si paradigmë që 40-50 vjet dhe e quajtur Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK.) Kjo lëvizje ka punuar në dy kahe, edhe me rugovistët (LDK) edhe me PDK-në dhe së voni me Lëvizjen VV, vetëm të mos shuhet etnonacionalizmi majtist shqiptar (një si karikaturë e nacionalsocializmit gjerman) që shpenzon të gjitha energjitë e qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë në hapësirat ballkanike dhe si këmbim nuk ofron asgjë pos luftës, mjerimit social dhe humbjes permanente të territoreve.
Prandaj mendoj se enverizmi dhe struktura e tij në Perëndim dhe Kosovë nën siglën LPK i kanë shërbyer dhe i shërbejnë pavetëdijshëm Beogradit zyrtar. Sepse nën maskën e njëfarë patriotizmi të lodhur patriarkal dhe paternalist, në thelb folklorist shqiptar dhe në aspektin ideologjik maosit dhe kinse revolucionar, fshehët parimi i barazisë së popujve dhe njerëzve që në fakt vlen vetëm për klasën që e ka kap pushtetin, e që është pushtet i “jakava të bardha”.
Deklaratat politike të kësaj mendësie, e që “garanton” identitetin shqiptar dhe bashkimin në një komb unik të shqiptarëve, janë thjeshtë armiku nr 1. i shqiptarëve kudo që ata ndodhen dhe këtë po e shfrytëzojnë fqinjët e tyre për t’i vënë ata në pozitë gjithnjë të dobët para Fuqive të mëdha (Churchil), pra si elementë jostabilizues. Kjo përfshihet në formulën klasike të ekspansionizmit serb për “Shqipërinë e Madhe” dhe për “shqiptarët në krahë të jihaddit islamik”. Pra kjo konjukturë që tashmë tek shqiptarët vepron edhe si forcë emotive, si “patriotike”, “për Shqipni”, “Që e ka mundur Serbinë në luftë.” Etj. Nuk përmbyset lehtë dhe më e keqja as nuk emancipohet politikisht, sepse shpesh heshtur e ndonjëherë më zëshëm i del në krah Tirana zyrtare, e më shpesh i del në krah Perëndimi!? Sepse kjo klasë është në gjendje të bëjë çdo gjë që i kërkohet nga Tirana dhe nga Perëndimi, pa guxuar të thotë se “kjo nuk bën”, thjesht për shkak se është e shanatzhuar nga ajo që e cilësojmë si ‘faktor ndërkombëtar’, me fshehje dosjesh për vrasje politike e krime mizore lufte, për zhvatje e vjedhje shumë milionëshe të atdheut! Por, duhet të bashkëveprojë një forcë e re politike me forcat e vjetra, më pak të ekspozuara në krime, të te gjitha partive ekzistuese politike, për ta formuar kështu një bllok që e ndal rrokullisjen e Republikës në humnerë. Por, pa enveristët, që popullin e Kosovës e kanë cilësuar gjithmonë si reaksionar!!! E një bllok i tillë që e do Kosovën për atdhe të vetëm dhe të pa tjetërsueshëm dhe që e do modernizimin dhe perëndimorizimin e kësaj shoqërie do të ndodh. Për këtë vë bast!!!
Frontin duhet ta përbëjnë gratë dhe burrat e fortë të Kosovës
Kush do të duhej ta përbënte atë front sipas Jush? Apo kush do të duhej ta udhëhiqte atë?
Halil Matoshi: Gratë dhe burrat e Kosovës , të mendësisë së re, që as nuk falin për gabimet ideologjike dhe as nuk marrin kredita të huaj patriotikë, pra nuk ia fyejnë dinjitetin dhe integritetin asnjë shqiptari kosovar që për një shekull nuk ka rreshtuar së luftuari për mëvetësi nga Serbia. E rëndësishme është që duhet të jetë një lider proeuropian e i mençur dhe me ndershmëri e integritet, e jo patriot arkaik me çdo kusht, një shqiptar i madh. Ata janë të neveritshëm.
Vetëvendosje me pasë mundësi sot e dekretojnë “Revolucionin kulturor” të Maos
Gjatë ditës së djeshme Albin Kurti paralajmëroi protesta të fuqishme, në kundërshtim të Asociacionit të Komunave Serbe. Si i shini këto paralajmërime të Kurtit dhe të Vetëvendosjes dhe a ka rrezik të eskaloj situata?
Halil Matoshi: Ai me trupat e tij edhe mund t’i duken dikujt “të fuqishëm” ndoshta edhe të ‘mnershëm’, por për qytetarin e edukuar kosovar, ata janë vetëm politikanë agresivë që duan përmes frikës ku nuk u ndez bindja ta marrin pushtetin politik në duar, pa asnjë vizion për zhvillim e mirëqenie, pa asnjë ide për liritë themelore civile dhe për të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Ata me pasë mundësi sot e dekretojnë “Revolucionin kulturor” të Maos. Pra, duhet refuzuar, me fol aq gjatë për ta. E di një gjë, dhuna ndër kosovarët nuk do të kalojë! Nuk bie një Qeveri nëse ia rrëzo gardhin por nëse ia shpalo metaforikisht thënë, bythën, pra nëse jep alternativa më të qëndrueshme e më të besueshme që ke për t’ua ndreq jetën njerëzve e jo, t’ua marrësh atë peng. Kaq!
Burrështetasit nuk nervozohen për një arë a livadh
Sot poashtu kishte një zhvillim interesant. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e anëtarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme duke e quajtuar këtë komision si instrument të Isa Mustafës e Hashim Thaçit, sidomos për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Si e komentoni këtë dorëheqje të tij?
Halil Matoshi: Burrështetasit nuk nervozohen për një arë a livadh, sepse nuk funksionojnë sipas zemërimit të turmave, që kanë humbur ca pëllëmbë toke a mali, për t’i kullotë dhitë!? Burrështetasve u intereson paqja dhe mirëqenia për popullin e tyre ,aq sa për popullin tjetër! Këta e sundojnë botën. Shikojeni sot Amerikën, ajo, përkatësisht administrata e Barck Obamas është përgjegjëse edhe për lirinë time dhe të fëmijëve të mi!
Kryetari i AAK-së, sot shpërthej me një fjalor të rëndë ndaj kryetarit të Komisionit Qeveritar për kufirin me Malin e Zi, Murat Meha, duke e quajtur peder. A është kjo mënyra e duhur për të parandaluar faljen e mijëra hektarëve Malit të Zi?
Halil Matoshi: Mendoj se opozita i ka punët si mos më keq brenda vetës, përkatësisht subjektet politike që sot e përbëjnë opozitën janë para kolapsit të brendshëm dhe protestat u duhen për mobilizim të anëtarësisë. Mirëpo, thirrjet në dhunë dhe sharjet që aktualisht po dëgjohen në publik po e shpartallojnë opozitën nga brenda. Shikoni përplasjet e brendshme në Vetëvendosje, janë tregues se opozita njeh vetrënie të mëtejshme. Nuk rrëzohet Qeveria nëse ia rrëzon gardhin përreth, por nëse e bind publikun se alternativa jote është ajo e duhura për vendin…Opozita po e zbeh rolin e vet në publik për shkak se nuk po paraqet alternativa për zhvillim porse vetëm deklarata të forta ultranacionaliste. Zoti Haradinaj e ka humbur balancin që e shquan një burrështeti, natyrisht se për këtë ka shumë motive të fuqishme, sepse puënt nuk po shkojnë mirë, por kjo nuk është arsye e mjaftueshme që ai të dalë nga vetja. Sepse i doket se ka humbur shumë gjak e djersë për t’i bindur kosovarët se e ka përnjëmend ndërtimin e këtij shteti dhe se ai ka ndryshuar, është shndërruar në djalë të mire! Po kujt nuk i doket kështu???
Njeriu kur shikon shumë gjatë kah humnera, dikur humnera po u kthyeka dhe po shikueka kah ty!!!
Më zgjoi kureshtjen një deklaratë e Muharrem Nitajt, anëtarit të Kryesisë së AAK-së, për arsyeshmërinë e të protestuarit përditë në këtë vend që nuk po qeveriset drejt, por sipas tij, kjo nuk e justifikon dhunën. Nëse AAK bie në nivele staliniste të kinserevolucionit të VV-së që i jep vetës të drejtën “të vrasë në emër të revolucionit popullor”, atëherë i garantoj, se kurdo që mbahen zgjedhje të lira në këtë vend nuk do ta arrijnë censusin prej pesë për qind!
Keni komentuar marrëveshjen për Asociacionin. Po më intereson, cili është qëndrimi i juaj për marrëveshjen me Malin e Zi për çështjen e demarkacionit?
Halil Matoshi: E thashë më herët, burrështetasit si Haradinaj (ishte Kryeministër i Kosovës) nuk merren me metra katrorë, por si do të qeverisën njerëzit që shfrytëzojnë ato hapësira. Në ish Jugosllavi kufijtë s’kanë pasur vija strikte. Unë jam rritur në një zonë kufitare me Serbinë dhe më shumë kemi lozur në territorin e Serbisë së sotshme se në oborrin e shtëpisë sime! Po kjo nuk dmth. se ajo ishte ‘han e dan’ tokë shqiptare!?
Këto punë gjithnjë duhet t’i besohen shtetit – si grumbull institucionesh – që garanton sovranin që “as liria dhe as toka” nuk është humbur dhe nuk është shitur. Unë nuk besoj ma se dikush mundet me shitë tokë t’atdheut! Nëse dikush më argumenton se po humbet liria kombëtare e kosovarëve, para se toka, unë me moshën e shtyme do të bindem të nisem për luftë!!!