Listës së gjatë të veçorive të iPhone-it të Apple-it do t’i shtohet edhe si “shpëtimtar”. Të hënën e kaluar, një student nga Universiteti i Kalifornisë po kthehej tek apartamenti i tij rreth orës 23:00, kur një hajdut u përpoq t’i vidhte çantën e kompjuterit dhe i gjuajti me armë. Për fatin e mirë të 24-vjeçarit, plumbi zuri tek iPhone, duke i shpëtuar atij jetën.
Shoku i tij i dhomës tregoi për një media lokale se djaloshi ishte krejt i shokuar kur vajti në shtëpi. “Xhinset i ishin grisur. Më tregoi iPhone-in ku plumbi dukej shumë qartë. Telefoni i shpëtoi jetën,” u shpreh ai për median NBC. Studenti e ka lënë shkollën dhe nuk e ka në plan të rikthehet derisa të kapet autori.
Kjo nuk është hera e parë që një telefon inteligjent i shpëton jetën një njeriu. Në muajin gusht, një telefonSamsung Galaxy Mega 6.3 i shpëtoi jetën pronarit të tij. Pajisje të tjera që janë konsideruar si “shpëtimtar” kanë qenë edhe Nokia Lumia 520, që i shpëtoi jetën një polici, HTC EVO 3D, që shpëtoi jetën e pronarit, apo një telefon BlackBerry.
Është e çuditshme të mendosh që je akoma gjallë vetëm falë telefonit, megjithatë siç thotë një fjalë e urtë “Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër.”



















