Jahjaga takoi ambasadoren e re të Turqisë

E publikuar: 20/08/2015 14:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, e cila i dorëzoi letrat kredenciale.
Presidentja Jahjaga i vlerësoi lart marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe theksoi rëndësinë e zgjerimit të këtij bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Ajo e çmoi lart mbështetjen që Turqia i ka dhënë institucioneve të Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kivilcim Kiliç shprehu përkushtimin e vendit të saj për bashkëpunimin me Republikën e Kosovës.

Ajo tha se Turqia do të vazhdojë të jetë përkrahëse e fuqishme e anëtarësimit të Kosovës në institucionet rajonale dhe ato ndërkombëtare, në fushën e rendit dhe ligjit, zhvillimit ekonomik dhe respektimin e të drejtave të njeriut, me theks në të drejtat e grave dhe të fëmijëve.

Ambasadorja Kiliç tha se Turqia është e angazhuar për zgjerimin e bashkëpunimit me Kosovën në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.