Janë ndërprerë përsëri gërmimet në Kozarevë të Novi Pazarit. Më 7 dhe 8 gusht ishin paraparë të bëheshin gërmimet vlerësuese në këtë lokacion, por ato janë ndërprerë nga pala serbe qysh ditën e parë.
I shqetësuar me këtë sjellje të serbëve, kryetari i Komisionit Qeveritar për persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, përmes një mbledhjeje urgjente ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërpritet kjo praktikë e palës serbe.
Ndërprerja e gërmimeve vlerësuese në Kozarevë të Novi Pazarit nga ana e palës serbe i ka shqetësuar anëtarët e Komisionit për Persona të Zhdukur.
Në një mbledhje urgjente ata kërkuan nga institucionet përgjegjëse që të ushtrohet trysni ndaj shtetit serb që t’i ndërpresë këto praktika.
Ndonëse gërmimet ishin paraparë të zgjasnin dy ditë, zëvendësprokurori serb e urdhëroi ndërprerjen e tyre qysh ditën e parë, përkundër faktit se nuk ishte gërmuar edhe në një hapësirë të shënjuar, që përfshinte diku 20 metra në drejtimin lindor nga kanali i parë.
E përfaqësuesi i familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkinaj, e akuzoi Bashkësinë Ndërkombëtare se krejt këto po ndodhin në sy të tyre dhe ata po i tolerojnë këto sjellje.
U kërkua që kjo problematikë të ngrihet në nivel dialogu dhe të shkarkohet Kryetari i komisionit qeveritar për të zhdukur në Serbi.
Në mbledhjen e sotme u fol edhe për caktimin e agjendës më 30 gusht, ditës ndërkombëtare për persona të pagjetur.

















