Mjaftoi nje perlë e Philipe Mexes që Milani të fitonte derbin e parë sezonal. Në Shenzen në Kinë skuadra e drejtuar nga Sinisa Mihajlovic mposhti 1-0 Interin e Roberto Mancinit falë një goli spektakolar të qëndërmbrojtësit francez në sfidën e vlefshme për turneun veror International Champions Cup.
Tifozë të shumtë në shkallët e stadiumit të cilët mezi prisnin të shihnin nga afër idhujt e tyre, por dy trajnerët Mancini dhe Mihajlovic nuk i kënaqën shumë pritshmëritë e fansave pasi kishin hedhur në fushë pjesën më të madhe të lojtarëve të stolit dhe disa nga të rinjtë e skuadrave Primavera.
Pa emra të tillë si Kovacic, Icardi, Kondogbia e Palacio, Interi e nisi me treshen Longo-Delgado-Baldini përpara, ndërsa te Milani binte në sy prania si titullar e Matrit e Niang, por në fushë ishin edhe disa nga lojtarët e formacionit bazë si Diego Lopez, De Sciglio, De Jong e Bertolacci. Pjesa e parë dhuroi pak me dy skuadrat që kishin të vështirë të gjenin hapsirat e nevojshme.
Rasti më të mirë në këtë fraksion loje e pati Milani në minutën e 38-të por Matri gaboi duke mos pasuar saktë për Niangun me Santon që e largoi topin në këndore. Edhe pjesën e dytë Interi e nisi me të njëjtin formacion ndërsa kuqezinjtë bënë disa ndryshime të tjera. Minuta e 59-të ishte ajo e shumëpritura për të gjithë tifozët zikaltër me Mancinin që hodhi në fushë disa nga titullarët përfshirë këtu edhe Icardin e Kondogbia, ndërsa pak sekonda më vonë bënë debutimin absolut me Milanin edhe dy sulmuesit e ardhur me shumë bujë gjatë kësaj vere Carlos Bacca dhe Luiz Adriano.
Momenti vendimtar dhe ai që vendosi fatet e këtij takimi u regjistrua në minutën e 62-të. Krosim i Bonaventurës nga këndi dhe Mexes me një veprim akrobatik nga limitet e zonës realizoi një gol me të vërtetë fantastik, ashtu sic vetëm ai di ti bëjë duke kaluar në avantazh Milanin.
Reagimi i Interit ishte i vakët dhe Milani arriti të mbronte deri në fund rezultatin duke bërë të tijin derbin e parë sezonal të Milanos. Një epsiod për të shënuar ishte edhe ai i minutës së 88-të kur Nocerino harroi se bëhej fjalë vetëm për një miqësore duke shkatuar një ndërhyrje me të vërtetë të rëndë ndaj Kondogbias me arbtrin që e ndëshkoi me karton të kuq mesfushorin e Milanit. Në Shenzen gjithcka u mbyll me suksesin 1-0 të skuadrës së Sinisa Mihajlovic./ss/