Policia dhe KFOR-i kontrollojnë Badovcin

E publikuar: 20/07/2015 19:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Liqeni i Badovcit, ndonëse gjatë tërë kohës është i rrethuar me pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që disa kohë është bërë cak i dyshimeve për sulme.

Edhe mbrëmjen e së dielës ky liqen ka qenë i rrethuar nga njësitet speciale të policisë, një javë pas arrestimit të 5 personave të dyshuar për terrorizëm, raporton KTV.

Pas gjetjes së një kallashnikovi, karikatorëve dhe disa rrobave të zeza, pjesëtarë të policisë që ishin në vendin e ngjarjes kanë vërejtur edhe dy vetura të dyshimta që ishin afër liqenit.

Menjëherë ata ua vënë pas dy veturave që ishin futur në mal afër liqenit, derisa nuk kanë arritur t’i kapin.

E prania e policisë dhe e zjarrfikësve është vërejtur edhe të hënën afër liqenit të Badovcit.

Bashkë me Policinë e Kosovës aty u panë edhe pjesëtarë të KFOR-it slloven.

Ky kontrollim, sipas zyrtarëve të Policisë, është rutinor, derisa kanë pohuar se janë në kërkim të një barke, e cila është fundosur një muaj më parë.

Për nxjerrjen e barkës që është fundosur para një muaji dhe e cila i takon shoqatës së peshkatarëve, janë angazhuar edhe policë e zjarrfikës.

Drejtori i Ujësjellësit, Xhelosh Vataj, i cili ka vizituar liqenin, ka
siguruar qytetarët e se uji i këtij liqeni është i cilësisë së lartë dhe ka konfirmuar kontrollimin për nxjerrjen e barkës.

Pas më shumë se një ore, zhytësit kanë arritur të nxjerrin barkën nga uji.

Zyrtarë të policisë kanë thënë se nuk kanë vërejtur diçka të dyshimtë dhe se nuk mund të thonë se kjo ka të bëjë me pesë personat që ishin arrestuar më 11 korrik, të cilëve u ishin gjetur uniforma, maska, doreza e flamur si ai i ISIS-it.

Ndërkohë Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit ndaj pesë personave të dyshuar për veprën penale: “Përgatitje e veprave penale terroriste, ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë”, transmeton Koha.net.

Gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes, duke vlerësuar se po të lihen në liri të dyshuarit është rrezik që të ikin, të prishin provat apo të ndikojnë mbi dëshmitarët.