Zgjedhjet e reja presidenciale të Fifas do të zhvillohen 26 Shkurtin e ardhshëm në Zyrih të Zvicrës. Me një komunikatë në Twitter komiteti ekzekutiv i qeverisë së futbollit botëror bëri të ditur datën kur do të mblidhet kongresi i Fifas për të përcaktuar pasuesin e presidentit të dorëhequr zviceranit Sepp Blatter. Në këtë mënyrë 79-vjecari do ta ruajë postin e tij edhe për 7 muajt e ardhshëm pavarsisht skandalit të korrupsionit që ka përfshirë Fifan dhe që nga i cili përfunduan në pranga disa antarë të lartë të kësaj organizate.
Me publikimin e datës së zgjedhjeve të reja disa prej konfederatave kryesore që bëjnë pjesë në Fifa kanë nisur lobingun për të bindur presidentin aktual të Uefas, francezin Michel Platini të shpallë kandidaturën për tu bërë numri 1 i qeverisë së futbollit botëror, duke i ofruar mbështetjen e tyre të pakushtëzuar. Shumë federata europiane, por edhe nga Amerika e Jugut, Amerika e Veriut dhe Australia janë pro kandidimit të Michel Platini-së. Nëse vendos të jetë prej kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Fifas që do të mbahen më 26 Shkurt rivali më i madh i francezit në këtë garë me siguri do të jetë princi jordanez Ali Bin Hussein. Ky i fundit mori pjesë edhe në zgjedhjet e kaluara por nuk arriti të thyente dot hegjemoninë e vendosur nga Sepp Blatter, i cili vetëm pak ditë pasi fitoi mandatin e tij të pestë në krye të Fifas, dha dorëheqjen për shkak të skandalit të korrupsionit.