Një japonez për Tiranën. Klubi kryeqytetas ka arritur këtë të Enjte marrëveshjen me japonezin Masato Fukui, që vjen nga skuadra malazeze e Sutjeskës së Nikshiqit, me të cilën luante që prej vitit 2013. 26-vjeçari shihet si përforcim në fazën e sulmit për trajnerin Shpëtim Muça duke qenë se aktivizohet si sulmues i djathtë, por mund të luajë dhe në qendër të repartit ofensiv.
Me Sutsjeskën ai ka qenë një titullar fiks duke shënuar në total 12 gola. Masato Fukui, është i njohur në arenën ndërkombëtare, për flokët e tij të verdhë dhe për faktin se është i vetmi japonez që ka zgjedhur të luajë në vendet e Ballkanit. Fifa madje i dedikoi një emision special një vit më parë, pikërisht për shkak të aktivizimit të tij në Europën Lindore. Fukui ka ndjekur nga afër seancën e fundit stërvitore të Tiranës dhe pasi të kalojë vizitat mjekësore do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje.