Zllatan Ibrahimovic te Milani është shumë më tepër se ëndrra e një nate vere. Psg i ka hapur rrugë largimit të sulmuesit suedez nga kryeqyteti francez, pasi nuk është më pjesë e projektit të presidentit Al Khelaifi. Parizienët, që kërkojnë të blejnë një tjetër sulmues të rëndësishëm, janë të kënaqur me 5.5 milionë Euro për kartonin e 33-vjecarit, për të cilin tre vite më parë shpenzuan 21 milionë Euro. “Gazzetta Dello Sport” zbulon se ka një marrëveshje mes administratorit të deleguar të kuqezinjve Adriano Galliani dhe menaxherit të sulmuesit Mino Railoa, në bazë të së cilës Ibra do të përfitojë 6 milionë Euro në sezon, plus bonuset, për tre sezonet e ardhshme. Suedezi ka pranuar të përgjysmojë pagën që merr aktualisht te Paris Saint Germmain, pasi dëshiron të luajë në nivele të larta deri në moshën 36-vjecare.
Gjithsesi, që kjo lëvizje të zyrtarizohet duhen pritur zhvillime të tjera në kampin parizien. Kampionët e Francës kanë mjaftueshëm para për të tentuar blerjen e Cristiano Ronaldos, por nuk është e thënë që Reali i Madridit ta pranojë ofertën e tyre. Për këtë arsye Milani duhet të presë ndoshta edhe muajin Gusht që PSG të bëjë një goditje të madhe në merkato, ndërsa Zllatan të zbarkojë në Milano./supersport.al/