Udhëtimet trishtuese të kosovarëve për në vendlindje!

E publikuar: 10/07/2015 12:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me 43 minuta vonesë Silvana, fillon të mbyllë derën e ndryshkur nga kanë hypur udhëtarët dhe bën me shenjë që gjithçka është gati për nisje.

Adelaida, stjuardesa tjetër, vazhdon të shpërndajë ujë në gota plastike të tregut me shumicë të Rumanisë për 148 udhëtarët që ja kanë mësyrë Kosovës për pushime.

Një meso burrë, me kollare, që mezi kalon përmes aeroplanit të Air Bucharast endet sa nga kabina e pilotit sa në fund të hangarit që po vlon nga i nxehti.

Ky duket të jetë shefi që kujdeset të realizoj edhe një fluturim në orët e vona të 4 korrikut, nga Bazelli për në Prishtinë, me aeroplanin që më shumë ngjanë në transportues mallrash dhe për nga shërbimi lë shumë për të dëshiruar.

aeroplan1

Nga janari deri në qershor, një pjesë e mirë e mbi 1,600 udhëtarëve që kanë udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë e anasjelltas kanë bërë rrugën me të.

Të dhënat e Aeroportit tregojnë se tani gjatë muajve të verës është shtuar numri i atyre që vinë në Kosovë.

Për këtë janë bërë bashkë agjencionet turistike “Reiseburo Prishtina”, “Air Munich”, “Sky express” dhe “My sky”, dhe kanë kontraktuar avio kompaninë “Air Bucharesht” që të bartë kryesisht kosovarët nga Dyseldorf, Shtutgart, Mynih, Basel/Mulhouse, e Hanover për në Prishtinë gjatë sezonit të lartë veror.

“Kompani ajrore “Air Bucharest”, e cila ishte prezente në ANP “Adem Jashari” edhe viteve të shkuara, ka planifikuar fluturime të programuara për sezonën e lartë verore 2015 respektivisht periudhën 26 Qershor-13 Shtator 2015, duke ofruar fluturime në disa destinacione si: Dyseldorf, Shtutgart, Mynih, Basel/Mulhouse, Hanover etj”, tregon për Gazetën Fjala, Valentina Gara, zyrtare për informim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Aeroporti Nderkombëtar i Prishtinës, sipas saj ka kontratë me “Air Bucharest” për ti ofruar shërbimet ajrore sipas të gjithë parametrave që aplikohen për të gjtha kompanitë ajrore “dhe të gjitha obligimet financiare që dalin nga operimet e kësaj kompanie në ANP i referohen çmimores për shërbimet e aeroportit”.

Gazeta Fjala ka provuar të marrë përgjigje nga kompanitë e përmendura dhe ka pritur për disa dit sqarime për mënyrën e funksionimit dhe çmimet e biletave, por asnjëra nuk janë përgjigjur.

Ankesat e qytetarëve

Gjatë sezonit të verës qytetarët ankohen se janë të detyruar të paguajnë shuma tepër të larta për bileta të cilat jashtë sezonës mund të blihen fare lirë.

Aktualisht bileta një drejtimëshe nga Prishtina për në Bazell nuk kushton më shtrenjtë se 50 euro ndërsa ajo nga Bazelli për në Prishtinë është 285 euro.

aeroplan 2

“Po na rrjepin. Edhe paguajmë shtrenjtë edhe na trajtojnë si kafshë duke na futur në këta aeroplan katastrofë”, thotë për gazetën Fjala, M.H, pasagjere.

Ajo natën e së mërkurës ka pritur më shumë se dy orë për të udhëtuar nga Zvicra në Kosovë dhe rrëfimi i sajë është trishtues për kushtet e udhëtimit.

“Gjatë gjithë rrugës veq pritsha kur do të rrëzohemi”.

Por, biiletat dhe ofrimi i shërbimit të transportit ajror në Aeroport thonë se janë produkte të kompanive ajrore dhe agjentëve të tyre dhe percaktohen në varesi të kërkesës së tregut.

Në fluturimin e 4 korrikut shumë pasagjer janë zhgënjyer me shërbimin që kanë paguar.

Për këtë udhëtarët në ulëset e para që kishin paguar biznes klasë nuk ndaleshin së fjalosuri me stafin.

Mes tyre dhe pasagjerëve të tjerë dallon vetëm çmimi i biletës. As ulëset e as shërbimi nuk janë ndryshe.

Temperatura, atë natë sa vinte e nxehej dhe shumica veç i kishin zbathur këpucët.

aeroplan 3

Bashkë me djersët dhe erën e kqmbëve në hangarin e aeroplanit rumun të përzihet stomaku. Ndërsa fëmijët nuk e mbajnë vajin nga vapa dhe mungesa e klimës.

Udhëtarët, shumica dërrmuese shqiptarë vetëm shushurisin mes vete. Nuk ankohen, për qudi. I tregojnë njëri tjetrit se nuk po mund të durojnë më këtë atmosferë por gëzohen që po kthehen në vendlindje për pushime.

Duartrokitja me të ateruar në Aeroportin që mbanë emrin e heroit Adem Jashari, tregon se gëzimi ua mund vuajtjet.

aeroplan 5

 

Më së shumti udhëtarë nga Zvicra

Të dhënat nga Aeroporti Ndërkombetar i Prishtines  tregojnë se karakterizohet me shtim të trafikut sidomos në sezonën e lartë verore që perfshin periudhën 15 Qershor –-15 Shtator e po ashtu edhe periudhën e sezonës dimërore respektivisht intervali 15 Dhjetor – 15 Janar.

Vendet nga të cilat gjenerohen numer më i madh i pasagjerëve që frekuentojne ANP “Adem JASHARI” janë: Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria, Sllovenia Italia, vendet Skandinave etj./Gazeta Fjala/.

 

VENDI VAJTJE/ARDHJE JAN-QER 2015
VAJTJE / ARDHJE % e prezences ne treg
ZVICER                       1,690 30.21%
GJERMANI                       1,523 27.23%
TURQI                          990 17.70%
AUSTRI                          537 9.60%
SLLOVENI                          333 5.95%
ITALI                          133 2.38%
BELGJIKE                          105 1.88%
KROACI                          100 1.79%
DANIMARKE                             60 1.07%
MBRETERIA E BASHKUAR                             54 0.97%
NORVEGJI                             32 0.57%
SUEDI                             14 0.25%

Numri i udhëtarëve për periudhën Janar-Qershor 2015 është: 675,630 pasagjerë. (Gazeta Fjala)