Policia ka arrestuar të dielën të dyshuarin në lidhje me vrasjen makabre të dy turistëve çekë Michal Svato dhe Anna Kosinova. Sokol Fran Mjacaj u arrestua pasi 350 forca policie dhe FNSH-je rrethuan një zonë në fshatin Grudë në Dukagjin, aty ku fshihej 20-vjeçari i armatosur.
Sokol Mjacaj është një person me të kaluar kriminale dhe i dalë nga burgu me një dënim minimal dhe pse kishte marrë pjesë në vrasjen e një 11-vjeçari për t’i grabitur një varëse floriri. Më 12 shtator të vitit 2010, Sokol Mjacaj dhe dy shokët e tij, Besnik Kodra dhe Edmond Kodra, e mbysin me sende të forta dhe më pas e hedhin në lumë në fshatin Pjollë të Dukagjinit 11-vjeçarin Agim Lera.
Krimi i shëmtuar u mundua të kamuflohej si një vdekje aksidentale e 11-vjeçarit, por policia arriti të zbulojë se personat në fjalë e kishin vrarë 11-vjeçarin për t’i marrë një varëse floriri që fëmija e mbante në dorë.
Pas arrestimit, gjykata dënon për këtë ngjarje Besnik Kodrën me burgim të përjetshëm, Edmond Kodrën me 11 vite burg dhe Sokol Mjacajn me 10 vite burg. Sokol Mjacaj apeloi dënimin dhe nga 10 vite burg, gjykata ia ul në katrë vite. Një vit më parë, Sokol Mjacaj doli nga burgu duke iu rikthyer sërish botës së krimit me një ngjarje të shëmtuar, duke vrarë dy tursitë të pafajshëm.
Gjithashtu, dyshimet janë se personi mund të ketë qenë dhe pjesë e grupit të zjarrit që qëlluan helikopterin e policisë një vit më parë në Pult të Dukagjinit, gjatë operacionit antikanabis. Madje, ka dyshime se autorët ose autori është pjesë e personave që ruajnë parcela kanabisi në zonat e thella të Dukagjinit.
/ Top Channel