Kurti viziton Iber- Lepencin, falënderon menaxhmentin për mënjanimin e dëmëve të shkaktuara nga sulmi terrorist

E publikuar: 20/12/2024 10:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, vizitoi dje Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “KRU Prishtina” dhe Ndërmarrjen Publike “Ibër-Lepencit”.

Vizitën e filloi në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “KRU Prishtina”. Atje u njoh nga afër me angazhimet dhe arritjet e ndërmarrjes, përfshirë zhvillimet infrastrukturore në rrjetin e ujësjellësit, ngritjen e dukshme në qeverisjen korporative, përmirësimin e kushteve të punës, zgjerimin e përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe performancën financiare në rritje.

“ U veçua zbatimi i projektit 238 milionë euro për kolektorin dhe impiantin e ujërave të ndotura për Prishtinën, Graçanicën, Fushë-Kosovën dhe Obiliqin, që do të realizohet me hua e grante nga KfW gjermane, qeveria e Francës dhe qeveria e Kosovës, investimet për ndërtimin e rrjetit në Fushë-Kosovë, Shtime, Graçanicë e Podujevë në dy vitet e fundit dhe përgatitjet për impiante të ujërave të ndotura në Podujevë dhe qytete të tjera”, thuhet në njoftimin për media.

Më pas, kryeministri vizitoi ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, ku vlerësoi arritjet e saj dhe nënvizoi rëndësinë që ka kjo ndërmarrje për zhvillimin e vendit. Përveç zhvillimit të projekteve të mëdha infrastrukturore dhe sigurimin e furnizimit me ujë të mbi 600 mijë banorëve, Ibër-Lepenci bashkë me përkrahjen e Qeverisë ka siguruar ujitjen e tokave tona bujqësore me rregull. Gjatë takimit u diskutua për mbarëvajtjen e projektit të rehabilitimit të kanalit, si dhe performancën pozitive financiare e operative.

“Në të dy takimet, kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës dhe falënderoi menaxhmentin dhe punëtorët për përkushtimin dhe punën për të mënjanuar dhe tejkaluar dëmet e shkaktuara nga sulmi terrorist i 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në kanalin e Ibër-Lepencit”, thuhet në njoftim.