Tregtia e jashtme e qëndrueshme pavarësisht vishtirësi

E publikuar: 14/07/2022 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës shpalli të mërkurën gjendjen e import-eksportit të vendit në gjashtëmujorin e parë të vitit, me një vëllim të përgjithshëm prej 19.8 trilionë juanësh, 9.4 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndër to, eksporti pati rritje prej 13.2 për qind, ndërsa importi me 4.8 për qind. Veçanërisht në qershor, rritja e eksporteve kineze, e llogaritur në dollarë amerikanë, arriti në 17.9 për qind, duke e kaluar parashikimin e pjesës dërrmuese të agjencive që analizojnë tregun.
Në tremujorin e parë të këtij viti, tregtia e jashtme e Kinës pati një nisje të qëndrueshme me një rritje prej 10.7 për qind, por si pasojë e gjendjes epidemike në rajonet e deltave të lumenjve Jance dhe Zhu, prodhimi e transportimi lidhur me tregtinë e jashtme pësuan goditje të rëndë në prill. Në dy muajt e mëvonshëm, me përmirësimin e gjendjes epidemike në Kinë dhe rifillimin e prodhimit, rritja e tregtisë së jashtme arriti në 9.5 për qind dhe në qershor pati një hov deri në 14.3 për qind, kështu që është ruajtur pritja e përgjithshme e rritjes së qëndrueshme të tregtisë së jashtme të Kinës.
Në gjashtëmujorin e parë, eksportet e pajisjeve elektrike, të qarqeve të integruara dhe të automjeteve patën rritje përkatësisht prej 24.8 për qind, 16.4 për qind dhe 51.1 për qind, ndërsa produktet që kërkojnë përqendrim të lartë të krahut të punës, si veshjet e tekstilet, produktet plastike dhe këpucët, u shtuan përkatësisht me 10.8 për qind, 14.9 për qind dhe 31.4 për qind.
Mëkëmbja e vazhdueshme e kërkesës nga vende të tjera i ka bërë të zëna me punë ndërmarrjet kineze të tregtisë së jashtme. Kompania tregtare “Duoman” është furnizuese e artikujve të përdorimit të përditshëm për supermarketet e mëdha në Filipine dhe vende të tjera. Menaxheri i kësaj kompanie tha se sivjet porositë u shtuan afro 30 për qind në krahasim me vitet e kaluara.
Edhe portet detare janë të ngarkuara. Nga qershori deri tani, dogana e Shangait ka trajtuar mesatarisht 60 mijë kërkesa zhdoganimi në ditë, 3.44 herë më shumë se në prill.
Shifrat e sipërpërmendura tregojnë se bota ka nevojë për Kinën. Zhvillimi prej disa dhjetëvjeçarësh e ka bërë Kinën të vetmin vend në botë që zotëron të gjitha kategoritë në Klasifikimin Standard Industrial të OKB-së. Ndër 500 llojet e produkteve industriale kryesore në botë, Kina zë vendin e parë për vëllimin e prodhimit në mbi 220 prej tyre.

Njëkohësisht, edhe mëkëmbja e kërkesës së brendshme ka mbështetur fort tregtinë e jashtme të Kinës. Me përmirësimin e gjendjes së prodhimit në vend, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, importet e metalit të bakrit, produkteve të kimisë organike dhe qarqeve të integruara u shtuan përkatësisht me 16.2 për qind, 7.9 për qind dhe 5.5 për qind. Për ekonominë globale, rimëkëmbja e kërkesës së tregut kinez është një lajm shumë pozitiv.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, tregtia e jashtme e Kinës me partnerët e saj kryesorë si ASEAN, BE dhe ShBA pati një rritje përkatësisht prej 10.6 për qind, 7.5 për qind dhe 11.7 për qind.
Në përgjithësi, nuk ka ndryshuar prirja e mirë e ekonomisë kineze dhe tregtia e jashtme e Kinës ka kushte të plota për ruajtjen e rritjes së qëndrueshme, duke vazhduar t’i japë një impuls të fortë gjallërimit të ekonomisë botërore.

 

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!