34 vjeçari i vdekur dhe një grua e lënduar nga mjeti i mprehtë, policia jep detaje për ngjarjen në Rugën B në Prishtinë

E publikuar: 09/05/2025 17:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka dhënë detaje rreth rastit të rëndë që ka ndodhur pasditen e se premtes në një ndërtesë në rrugën B në Prishtinë.

Ahmeti ka treguar se informacionet e para për dy persona të lënduar i kanë marrë në orën 15:00 dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e rastit, duke ftuar edhe mjekët emergjentë në vendngjarje.

Ahmeti ka thënë se pas arritjes në vendin e ngjarjes, mjekët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull 34 vjeç, dhe një femër e moshës 30 vjeçare e lënduar është dërguar për tretman mjekësor.

“Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë. Hetuesit policor po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.