3 viktima dhe 3 të plagosur në një aksident tragjik

E publikuar: 10/06/2022 09:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre të vdekur dhe tre të plagosur është bilanci tragjik i një aksidenti të rëndë që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në aksin rrugor Levan – Tepelenë.

Dy automjete u përplasën me njëra – tjetrës rreth orës 20:20 minuta, pranë fshatit Buzëmadh të Fierit.

Njëri mjet, tip “Opel”, është shkatërruar thuajse plotësisht, ndërsa makina tjetër tip “Ford” ka përfunduar në kanalin jashtë rrugës.

Mësohet se njëri nga viktimat e aksidentit është 54-vjeçari Sokrat Lela, punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga fshati Mbrostar i Fierit dhe 78-vjeçarja Bylyre Salaj, vjehrra e efektivit. Fatkeqësisht për shkak të plagëve të marra në spital vdiq dhe bashkëshortja e efektivit të policisë, Fatbardha Lelaj, 53 vjeçe.

Ndërsa në automjetin tjetër tip Opel udhëtonin një 43-vjeçar me bashkëshorten dhe vajzën 6-vjeçare. Të tre kanë marrë plagë të shumta dhe janë dërguar me urgjencë në spital.

Policia po shqyrton rrethanat e këtij aksidenti tragjik, teksa dyshimet paraprake janë për një parakalim të gabuar, si dhe lagështira në rrugë për shkak të motit të keq./Tv Klan