Kontradiktat me Demarkacionin

E publikuar: 25/12/2017 09:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesit e opozitës dhe analistët politikë i kanë vlerësuar si kontradiktore deklaratat e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj se gjatë muajit të ardhshëm do të përmbyllet Demarkacioni me Malin e Zi
Por, siç ka thënë ai, me një variant tjetër që do t’i respektojë interesat e dy vendeve. Sipas tyre, nuk mund të ketë një variant të ri derisa Marrëveshja aktuale e Demarkacionit është dërguar nga Qeveria në Kuvend dhe pritet të procedohet në seancë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se gjatë muajit janar 2018 do të përmbyllet çështja e demarkacionit me Malin e Zi, por, sipas tij, me një variant tjetër, i cili do të respektojë interesat e dy vendeve.

Ai nuk ka treguar se cila është forma që do t’i kënaqë si qytetarët e Kosovës, ashtu edhe Malin e Zi, por tha se çështja e demarkacionit do të përmbyllet shumë shpejt.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare i vlerësojnë si kontradiktore deklaratat e zyrtarëve të lartë qeveritarë në lidhje me demarkacionin, pasi që, sipas tyre, muajin tjetër nuk mund të sillet një version i ri i Marrëveshjes, derisa Marrëveshja aktuale është dërguar në Kuvend dhe pritet të procedohet në seancë.

Sipas tyre, s’mund të ketë version të ri pa u hedhur poshtë versioni aktual i Marrëveshjes së Demarkacionit.

Edhe analistët politikë vlerësojnë se pa u hedhur poshtë versioni aktual s’mund të ketë një version të ri për Demarkacionin dhe më pas të rinegociohet Marrëveshja me Malin e Zi.