242 mijë euro planifikohen nga Qeveria për verë të bardh e të kuqe, trileqe, pica e omëletë

E publikuar: 31/10/2025 10:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kohën kur qytetarët po përballen me çmime të rritura, Ministria e Punëve të Brendshme ka menduar për stafin e qeverisë që ta kenë më të lehta ditët e punës, dhe të kenë në dispozivion ushqime, pije freskuese dhe verë të bardhë për tre vjet rresht.

Në një tender me titullin “Shërbime hoteliere, bufe për objektin qeveritar ish Rilindja (MPB, MD, MAPL, MMPHI)”, qeveria ka shpallur procedurën e re për ushqim e pije për katër ministri, që ndajnë të njëjtin objekt. Dhe menuja është për t’u patur zili edhe nga restorantet që e quajnë veten “premium”.

Në listën e specifikimeve të tenderit, shteti kërkon file pule me garniturë (pomfrit, oriz dhe perime të fërguara), omleta me suxhuk, përshutë apo pulë, pica të ndryshme 19 dhe 29 cm, për dezert trileqe e ëmbëlsira ditore, verë të kuqe e të bardhë dhe sigurisht “snack-time”, kikirika, sallam, sallatë ruse, fli e mantija.

Këtë “bufe të punës” do ta gëzojnë zyrtarët e institucioneve që dikur ishin shembulli më i ashpër i kritikës ndaj luksit. Kur Vetëvendosje ishte në opozitë, sot në pushtet, flisnin për “shpenzime të pandershme në dreka e darka zyrtare”. Sot, drekat janë thjesht “të standardizuara” dhe me kapacitet trevjeçar, sepse tenderi parashikon kontratë 36 mujore.

Në dokument thuhet se operatori duhet të ketë të paktën dy kuzhinierë me diplomë, një ndihmës kuzhinier, dy banakierë dhe pesë kamarierë.

Sipas dokumenteve të prokurimit publik, tenderi ka kaluar disa herë për “përmirësim të informatave”, përfshirë edhe zëvendësimin e personit kontaktues. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 3 nëntor 2025, ndërsa kontrata do të zgjasë deri në fund të vitit 2028.

Në mungesë të një buxheti që mbulon shportën e qytetarit, shporta e qeverisë po del të jetë më e plotë se kurrë, nga pica “vegjetarianë” e deri te verërat e importit.

Njoftimi per sherbime te byfes MPBA (Dokument)

Dosja e Tenderit – Korigjuar -SHQIP