Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka raportuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në lidhje me furnizimin e vendit me energji elektrike si dhe për funksionimin e ndërmarrjeve publike.
Ajo tha se 12 milionë euro ishin paraparë që të shpenzohen gjatë tërë vitit për importin e energjisë elektrike, përderisa këto mjete janë shpenzuar veç në nëntor dhe janë planifikuar për dhjetor.
Sipas saj, çmimet e importit janë pesëfish më të larta.
“ZRrE ka hapur kërkesën e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave në përputhje me obligimet ligjore duke qenë se shpenzimet e operatorëve janë shumë më të larta sesa ka qenë e parashikuar. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milionë për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milionë për import”, tha ajo.
“Aktualisht energjia elektrike gjatë ditës shitet me çmimin prej 7 cent për kilovat, përderisa çmimet e importit janë minimalisht pesëfish më të larta dhe është çështje kohe derisa një kompania do të mundet që ta përballojë këtë. Probleme kemi edhe nga ana e KOSST-it për shkak që nuk janë kryer pagesat nga ana e KEDS-it dhe KEK-ut për tarifat dhe për blerjen e energjisë nga ana e KOSST-it me çmime të larta par shërbime të balancimit të sistemit”, tha ajo.
Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, kërkoi të di nëse do të ketë ngritje të çmimit të energjisë.
“A mund të garantoni se nuk mund të ketë rritje të çmimit të energjisë në Kosovë. Kemi miliona euro humbje nga mos pagesa e faturave të energjisë. Keni premtuar se pas gjashtë muajve, keni thënë se do të fillojë pjesa e veriut të paguaj”, pyeti Lekaj.
Ministrja Rizvanolli, nuk premtoi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë.
Tutje ajo tha se me reshjet e shumta atmosferike në Shqipëri, do të mundohen të këmbejnë energji elektrike me ta pa pasur nevojë që ta blejnë atë me çmim të lartë.
“Një ndër sfidat kryesore me të cilat po përballen vendet dhe jo vetëm të rajonit, por edhe të botes është kriza energjetike e cila vjen në radhë të parë si pasojë e rritjes së çmimeve të gazit në tregjet globale”.
“Kjo krizë prej disa muajsh e ka prekur rajonin. Vendet në rajon të gjitha pa përjashtim janë të prekura dhe shumë më shumë se ne Shqipëria për shembull ka disa muaj që është prekur për shkak se kanë importuar më shumë energji dhe deri më tani i kanë ndarë 180 milionë euro në formë të garancisë bankare për likuiditetin e sektorit të energjisë”.
Tutje ajo tha se çmimi i importit të energjisë në Kosovë është shumë i lartë dhe se gjendja është e jashtëzakonshme, raporton EO.
“Ne kemi pasur një situatë relativisht të mitë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore”.
“Siç është pritur me ftohjen e motit dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike është rritur edhe kërkesa për import, dhe çmimi i importit të energjisë elektrike është shumë i lartë, dhe është gjendje e jashtëzakonshme”, u shpreh ministrja Rizvanolli.
Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, pyeti ministren Rizvanolli se përse Trepça nuk i ka atë investimin prej 70 milionë euro të premtuara nga Qeveria dhe Bordin e kompletuar.
“Ku janë 70 milionë euro, pse nuk ka bord funksional në Trepçë. Për nëntë muaj nuk keni arrit me funksionalizuar bordin. Kur do ta keni bordin dhe drejtorin menaxhues në Trepçë. Na duhet koha, dhe u keni premtuar se do të ketë investime dhe rivitalizim”, pyeti Shala.
Tutje ajo kërkoi që procedura për përzgjedhjen e bordit të bartet në Ministri të Ekonomisë, nga zyra e kryeministrit, pasi kjo e fundit sipas saj, ka kërkesa të shumta për përzgjedhjen e bordeve.
“Ne e kemi planin ku parashihet kredi dhënia prej 40 milionë euro. Ky do të jetë proces, por që përparësi do të kenë Trepça dhe Telekomi, mirëpo këto fondet nuk do të jepen pa një kërkesë prej tyre”, tha ajo.
Shala pyeti sesi të bëhet kërkesa për këto mjete kur nuk ka bord në Trepçë.
“Sa i përket se kush do ta bëjë këto kërkesa, po flasim për një proces ta mëvonshëm”.
“Procedura udhëhiqet në tërësi nga zyra e kryeministrit, dhe ka shumë kërkesa tjera që përballet. I kemi trashëguar shumë ndërmarrje pa borde dhe kjo gjë merr kohë. Nuk mendoj se është mirë të ngarkohet kjo zyre më këto konkurse, dhe është mirë që këtë çështje ta udhëheqë zyra jonë e ministrisë”, tha ajo.
Tutje ajo përmendi rastin e rrahjes së u.d drejtorit të Trepçës.
“Shumë mirë që e përmendet atë rast, ku për pasojë është rrahur një u.d i drejtorit, dhe kjo gjë është e tmerrshme që ka ndodhur. Është turp që ndodh kjo dhe vjen puna me pas Njësi Speciale aty. Besoj se do të ketë edhe në ndërmarrjet tjera Njësi Speciale, për shkak të keqpërdorimeve të mëdha që kanë ndodhur”, tha ajo.