Lehtësimi i masave gjatë pandemisë Covid-19, ka bërë që prej fillimit të javës të hapen shumë dyqane. Por, dëmet e bllokimit dy mujor po vazhdojnë të jenë evidente, pasi interesimi i qytetarëve përkundër hapjes është i vogël.
Pronarët e këtyre dyqaneve thonë se masat e kufizimit të lëvizjes po bëjnë që frekuentimi i qytetarëve të jetë nën pritjet e tyre.
E këta të fundit i mirëpriten rihapjen e ekonomisë dhe tregut për të blerë gjërat e nevojshme.
KosovaPress ka qëndruar tek disa dyqane, ku pronarët e tyre thonë se java e parë e shitjes pas pandemisë, ka qenë me fitim zero, derisa theksuan se nëse vazhdohet me këtë mosinteresim të qytetarëve, gjasat e falimentimit janë të mëdha.
Lulzim Boshnjaku, pronar i dyqanit “Relax Mode”, tregon se javën e parë kanë filluar me një punë solide, kurse sa i përket humbjeve thotë se kanë qenë evidente.
“Kjo javë pas pandemisë, që kemi filluar me punë nga e hëna, kemi filluar me një punë solide, shumë më mirë se sa që kemi qenë krejtësisht të mbyllur. Presim ditëve në vijim kur të hapen bizneset tjera, të rritët qarkullimi dhe interesimi i njerëzve. Humbjet kanë qenë evidente për arsye të mbylljes së biznesit, kurse të gjitha shpenzimet tjera kanë vijuar normalisht. Të vetmen mbështetje e kemi pasur nga ana e qeverisë, me pakon emergjente e cila ka pasur vlerë 170 euro”, thotë ai.
Ai shpreson se deri në qershor, do të kthehet interesimi i qytetarëve.
Atdhetar Latifi, pronar i dyqanit “Shopping Family”, thotë se vetëm në ditën e parë pas rihapjes kanë pasur pak shitje, kurse ditëve tjera nuk ka pasur fare qarkullim.
Ai theksoi se ky mosinteresim i qytetarëve për veshmbathje po i dëmton shumë.
“Në fillim ka pasur nga pak qarkullim, të hënën prej se e kemi hapur sepse kanë pasur njerëzit nevojë mirëpo mbas andej nuk ka pasur fare qarkullim dhe besoj që vetëm për nevoja personale besoj që njerëzit janë duke dalë këto ditë. Po presim edhe kjo faza e dytë që ka me ndodhë me 18, nëse nuk ndodhë kjo mendoj që në korrik, kemi shpresa për shkak se neve po na dëmton shumë”, thotë ai.
Edhe pronarë të tjerë të bizneseve në kryeqytet, duke mos dashur të prononcohen para kamerave, thonë se nëse vazhdohet me këtë ritëm do të detyrohen t’i mbyllin dyqanet.
Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë se të hyrat e sektorit privat kanë rënje gjë e cila ka ndikuar që të bie fuqia blerëse dhe për këtë arsye ka ulje të konsumit.
“Nëse nuk dalim më shpejtë me planin e rimëkëmbjes në fazën e dytë, atëherë do të kemi vështirësi edhe më të mëdha për arsye se ka rënie të madhe të konsumit. Të hyrat e sektorit privat, kanë rënie dhe kjo ka ndikuar që të bie fuqia blerëse e qytetarëve të Kosovës dhe për këtë arsye kemi ulje të konsumit, përveç gjërave esenciale siç janë ushqimi dhe produktet higjienike sektorët tjera kanë rënie të mëdha për shkak të rënies së fuqisë blerëse”, deklaroi ai.
Ai theksoi se në këtë fazë që jemi duhet t’i ndihmohet prodhuesve dhe bizneseve me grande dhe kredi.
“Duhet të dilet me formë të granteve të përkrahen bizneset do të thotë bizneset e vogla dhe të mesme, pastaj të shikohet përkrahja e bizneseve prodhuese që kanë potencial me eksportu, duke iu japë grant dhe kredi dhe këto janë lehtësirat tatimore duke vazhduar me pako stimuluese për tatim dhe kjo mandej duhet të vazhdohet me investime kapitale”, thotë ai.
Përndryshe, masa lehtësuese pritet të ketë edhe pas 18 majit. Ndërsa, Ministria e Financave ka nis diskutimet për pakon tjetër mbështetëse pas pandemisë.