Zyrtari i Konsullatës së Kosovës në New York mund të dënohet deri në 20 vjet burgim për trafikim armësh

E publikuar: 30/08/2017 11:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoferi i Konsullatës së Kosovës në New York, Albert Veliu, pritet të dënohet deri në 20 vjet burgim për trafikim armësh, zhvatje dhe shpëlarje parash, transmeton Koha.net.

Prokurorët federalë në Brooklyn të New Yorkut kanë pohuar se Veliu ka tentuar të shesë disa kallashnikovë dhe një raketahedhës – armatim të cilin ai besohet se i ka quajtur “atlete” dhe “atlete të madhësisë së këmbës së Shaquille O’Neal” [ish-basketbollist i NBA-së].

Veliu ka shfrytëzuar punën e tij si zyrtar i Konsullatës për të pasur më të lehtë kontrabandimin nëpër aeroportet amerikane, raporton Daily News.

Autoritetet kanë thënë se ai ka mundur të hipte nëpër aeroplan me pak kontroll ndërsa tentoi të shiste targat diplomatike për çmimin e duhur.

Kosovari 34-vjeçar është arrestuar në qershor ndërsa të mërkurën gjykatësja Pamela Chen ka refuzuar lirimin me kusht të tij, duke arsyetuar se Veliu përbën rrezik për komunitetin, transmeton Koha.net.

Avokatët e Veliut janë munduar që ta lirojnë duke ofruar 750 mijë dollarë dorëzani me arsyetimin se ai nuk ka të kaluar kriminale dhe se është njeri familjar.

Prokurorët janë brengosur se Veliu mund të shfrytëzojë lidhjet e tij në Konsullatën e Kosovës që të zëvendësojë dokumentet e tij të udhëtimit dhe të largohet nga Amerika.