Zyrtare: Alves largohet nga Barca në fund të sezonit

E publikuar: 09/04/2015 19:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjentja e Dani Alvesit, Dinorah Santana, ka bërë të ditur se braziliani do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit.

Agjentja e mbrojtësit brazilian, e cila është edhe ish-gruaja e tij, u takua me drejtuesit e Barcelonës të mërkurën për të diskutuar rreth kontratës së re për brazilianin dhe thirri një konferencë për media të enjten për t’i sqaruar gjërat.

“Ne kemi pritur tërë vitin për të biseduar me Barcën. Kemi pasur dy oferta në tavolinë, por i kemi ndaluar të gjitha negociatat vetëm për të dëgjuar se çfarë do të thotë Barca”, tha fillimisht ajo.

“Është një klub tjetër që është i gatshëm t’i dhurojë Alvesit një kontratë trevjeçare me pagë më të lartë, plus me opsion për të vazhduar edhe një vit tjetër. Por, Barca na ka thënë se ata nuk mund t’i afrohen kësaj oferte”, ka theksuar ajo.

“Dani do të ishte i lumtur të qëndronte këtu me pagën që merr tani, por ata ofruan një vit shtesë me opsionin për të vazhduar edhe dy të tjerë. Këtë mëngjes, një ofertë formale erdhi me ‘e-mail’, me kushtin se ai duhet t’i luajë 60% të ndeshjeve për t’ia vazhduar kontratën për vitet e ardhshme”.

“Alves është i mërzitur. Negociatat kanë përfunduar tani. Ai do ta përfundojë këtë kontratë në mënyrën më të mirë që mundet”, ka përfunduar agjentja. /Telegrafi/