Zvicra nuk i pranon paratë e mbledhura me peticion për Xhakën e Shaqirin, propozon të dhurohen për një kauzë të mirë

E publikuar: 03/07/2018 07:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata Zvicerane e Futbollit i është përgjigjur negativisht iniciativës për mbledhjen e fondeve nga shqiptarët për të paguar gjobën e FIFA-s për dyshen, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Përfaqësuesja e Zvicrës fitoi në grupe ndaj Serbisë me rezultat 2-1 falë dy golave të shqiptarëve, Xhaka dhe Shaqiri.

Përveç golave të shënuara, dyshja me prejardhje shqiptare festoi me simbolin e shqiponjës duke provokuar tifozët.

Këto festime me shqiponjë bënë që FIFA të reagojë duke dënuar me nga 10 mijë euro të dy futbollistët me prejardhje shqiptare.

Pas dënimit të shqiptuar për Xhakën dhe Shaqirin, shqiptarët e mobilizuan dhe ishte Rilind Reka, i cili hapi një peticion për mbledhjen e fondeve për të paguar dënimit e reprezentuesve zviceran.

Pas vetëm disa ditësh shifra prej 20 mijë eurosh u mbledh dhe Reka nisi një letër në drejtim të Federatës Zvicerane për të paguar dënimin e Xhakës dhe Shaqirit, por përgjigja ishte negative nga ana e tyre.

“Përshëndetje Rilind. Federata dëshiron që paratë të mos u dorëzohen lojtarëve, por të dhurohen për një kauzë të mirë (që ju mund ta zgjidhni)”, ka qenë përgjigja e Federatës së Zvicrës për Rekën.

Në fotografitë e postuara në profilin e tij, Reka zbuloi se po mendon që këto para të grumbulluara të dorëzohen për blerjen e rekuizitave të futbollit për shkollat fillore në zonat rurale të Kosovës. /Telegrafi/