Zvicra kërkon detaje shtesë për ADN-në e Astrit Deharit, Ministria e Drejtësisë hesht

E publikuar: 15/10/2019 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në javën kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme, Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ia përcolli Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë rezultatet për autopsinë e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari. Ajo përveç kësaj kërkoi edhe disa detaje shtesë për testimin e ADN-së. Nga ky institucion kanë folur gjatë ditës për Gazetën Express, ndërsa deri në publikimin e këtij teksti, MD-ja ka zgjedhur heshtjen.

Gazeta EXPRESS

Saktësisht një vit i është dashur Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës të kthejë përgjigje që hedh dritë mbi misterin e vdekjes së ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Në këtë muaj, ky institucion ka kthyer rezultatin e autopsisë në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, pasi që ajo kishte dorëzuar formalisht kërkesën për të kryer ekspertizën. Tani instituti zviceran është duke pritur nga MD-ja edhe disa detaje shtesë lidhur me testimin e ADN-së.

Kështu thuhet në disa përgjigje nga ky institucion të siguruara nga Gazeta Express. Aty shkruhet se raporti është përfunduar nga pikëpamja mjekësore, derisa, janë kërkuar më shumë detaje në lidhje me testimin e ADN-në. Për të njëjtat thuhet se pavarësisht kërkesës nuk i kanë marrë ende.

“Raporti ynë është përfunduar praktikisht nga pikëpamja mjekësore. Sidoqoftë, ne kemi kërkuar më shumë detaje në lidhje me testimin e ADN-së deri më tani, për fat të keq nuk kemi marrë ende përgjigje. Sigurisht ne po vazhdojmë të pyesim rregullisht dhe shpresojmë që do t’i marrim të dhënat së shpejti”, thuhet në përgjigjen e Silke Grabherr që është drejtoreshë e Institutit, e që ka kryer autopsinë e Astrit Deharit. E njëjta thotë se për të bërë të ditur se çka rezulton nga ekspertiza e kryer e ka informuar Ministrinë e Drejtësisë javën e kaluar, së bashku me një propozim njoftim për media, që nuk është bërë i ditur deri më tani.

Grabherr ka thënë tutje se nuk i lejohet të bëjë publike atë se çka rezulton nga ekspertiza, pasi që e njëjta i dërgohet vetëm përmes raportit klientit, që në këtë rast është Ministria e Drejtësisë.

Këtë përgjigje e ka pasur sot gjatë ditës për Gazetën Express zyra e drejtoreshës së Institutit. Qendra e Mjekësisë Ligjore në Lozanë ka thënë se për këtë temë i lejohet të flasë vetëm prokurori i kësaj çështjeje.

“Nuk na lejohet të komunikojmë për rastin. I vetmi person që mund t’ju japë informacione është prokurori përgjegjës i çështjes”, thuhet në përgjigjen e Grabherr.

Pikërisht pse ka marrë informacione se është kryer ekspertiza për rastin Dehari, avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, u është drejtuar përmes një letre ministrit të Drejtësisë, tash në detyrë Abelard Tahirit, pryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, e prokurorit të rastit, Metush Biraj.

Gashi po kërkon që të njoftohen me atë se çka rezulton pas analizave të para që janë marrë nga Zvicra.

“Masi e kanë marrë informatën ju kanë drejtu me shkresë, me i njoftu se është kry ekspertiza, kanë thënë se është kry edhe i kanë thënë se i kanë autorizu me fol që e kanë kry ekspertizën. Ne i kemi falënderu edhe i kemi kërkuar një kopje pastaj i kemi shkru Ministrisë së Drejtësisë në këtë kërkesë është edhe për prokurorin Lumezi”, ka thënë Gashi për Express derisa ka shpjeguar se ende nuk ka marrë përgjigje nga MD-ja.

Përgjigje nga ky institucion nuk kanë kthyer as të pyetur nga Gazeta Express. Ministria e Drejtësisë nuk ka sqaruar se pse nuk kanë publikuar ende raportin e Institutit në Zvicër, e pse nuk i kanë përcjellë të njëjtëve informacionet shtesë që iu janë kërkuar.

Pa informacione po del të jetë ndërkaq prokurori i këtij rasti, Metush Biraj. I njëjti gjatë ditës i ka thënë Express-it se ka marrë njoftim nga mediat për këtë temë.

Nga Prokuroria e Shtetit, pas këtij deklarimi, është dërguar edhe një njoftim për media që thotë të njëjtën.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se deri në momentin e lëshimit të kësaj komunikate, nuk e ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin Dehari nga Instituti i Lozanës në Zvicër. Për hir të informimit të drejtë të opinionit, në momentin që ky raport të mbërrij përmes ambasadës së Zvicrës në Kosovë, dhe i njëjti të pranohet në Prokurorinë e Shtetit, menjëherë do të njoftohet opinioni publik”, thuhet në këtë komunikatë.

Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestua më 30 gusht të vitit 2016, i dyshuar se bashkë me aktivistë të tjerë sulmuan Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 doli në përfundim se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit.

Në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit. /GazetaExpress/