Willian: Nuk besoj se do të qëndrojë te Chelsea

E publikuar: 22/05/2020 20:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Willian është i hapur që të nënshkruajë një marrëveshje të përkohshme, e cila do ta mbante te Chelsea edhe pas 30 qershorit kur i skadon kontrata, ndërsa qëndrimi afatgjatë te klubi është në dyshim.

Blutë nuk janë shumë të interesuar që t’ia rinovojnë kontratën 31-vjeçarit, të cilin duan ta transferojnë si lojtar të lirë Arsenali dhe Tottenham Hotspur.

Chelsea ka edhe një muaj për të arritur marrëveshje me brazilianin, ndërkohë që pritet rikthimi i Ligës Premier gjatë muajit të ardhshëm.

Skuadra e Frank Lampard ka edhe nëntë ndeshje për të zhvilluar në kampionatin anglez dhe tri ndeshje potenciale në Kupën FA, ku ka arritur në çerekfinale.

Udhëzimet e FIFA-s i kanë inkurajuar klubet dhe lojtarët për arritjen e marrëveshjeve të përkohshme, mirëpo dy palët akoma nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

“Është situatë e vështirë, sepse Chelsea më ka ofruar kontratë dyvjeçare dhe nuk do ta ndryshojnë ofertën e tyre. Unë kam kërkuar edhe tri vite të tjera”, ka deklaruar Willian për Esporte Interativo.

Anësori ka thënë se nuk e di nëse është i mundur qëndrimi, porse ai dëshiron të vazhdojë të punojë dhe t’i ndihmojë skuadrës që t’i fitojë ndeshjet e mbetura të sezonit.