VV kritikon Ahmetin për koalicionin me AAK-në në Prishtinë

E publikuar: 17/12/2017 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje, e cila po mban në këto momente mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, po diskuton edhe për koalicionet që kjo parti i ka arritur në zgjedhjet e fundit lokale me partitë tjera nëpër komunat e Kosovës.

Theks të veçantë i është dhënë Komunës së Prishtinës, ku kjo parti ka arritur koalicion me AKR-në para raundit të dytë zgjedhor, ndërsa me AAK-në pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të KQZ-së.

KTV merr vesh se në mbledhje është kritikuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, veçanërisht për koalicionin që e lidhi para pak ditësh me AAK-në.

Kjo për faktin se ai nuk është konsultuar paraprakisht me Këshillin e Përgjithshëm të partisë dhe është thënë se ky veprim nuk është në përputhje me statutin e Lëvizjes.

Ahmeti fillimisht ka refuzuar të arsyetojë këtë koalicion para Këshillit, mirëpo tani ai është duke folur pikërisht për këtë.

Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka kundërshtuar idenë që me drejtorinë e Arsimit të udhëheq AAK-ja.

Kundër është shprehur edhe deputetja Albulena Haxhiu.

E sipas Ahmetit, kjo drejtori ka qenë kushti i AAK-së për të arritur marrëveshjen.

Kundërshtime ka pasur edhe për drejtorinë e Inspeksionit.

Hysen Durmishi ka thënë se nëse AAK udhëheq me këtë drejtori, “atëherë ndërtimet pa leje do të vazhdojnë si në kohën kur nuk ka qeverisur Vetëvendosja”.

Megjithatë, në fund, Këshilli i ka miratuar marrëveshjet e koalicionit në Prishtinë dhe Prizren.