Vuçiq: Zgjidhja Kosovë-Serbi nuk ka të bëj me guximin tim

E publikuar: 18/10/2018 12:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq së bashku me homologun austriak, Aleksander Va nder Benoin po marrin pjesë në panelin ‘Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian’ i cili po mbahet në kuadër të ‘Forumit të Sigurisë të Beogradit’, shkruan Lajmi.net.
Vuçiq është pyetur sot nga gazetarët se a dëshiron të hyjë në histori si figura kryesore që e ka zgjidhur problemin Kosovë-Serbi?

Presidenti serb ka thënë se është gjithmonë i gatshëm të flasë për një kompromis të vërtetë midis Beogradit dhe Prishtinës, por ka shtuar se kjo nuk ka të bëj me guximin e tij, transmeton lajmi.net.

“Ne kemi nevojë për paqe mes serbëve dhe shqiptarëve – serbët edhe shqiptarët kanë nevojë për të”, ka deklaruar ai.

Duke përmendur vizitën e tij në Kosovë, ai ka thënë se nuk kishte frikë të shkonte mirëpo ishte dita më e vështirë politike në jetën e tij.

“U thashë atyre se i kemi përmbushur të gjitha detyrimet e Marrëveshjes së Brukselit ndërsa ajo që nuk është realizuar mbetet marrëveshja e Asociacionit të komunave serbe”.

Vuçiq ka thënë se në mënyrë që të arrihet një zgjidhje përfundimtare duhet të jetë e dhimbshme për të dyja palët përndryshe nuk do mund të ketë kompromis.

Tutje, ai ka theksuar se Serbia nuk pajtohet me formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Presidenti serb ka shtuar se nuk pajtohet me Shtetet e Bashkuara për të gjitha çështjet që lidhen me Kosovën por është nevoja që problemi të zgjidhet.