Vetëvendosje e quan Molliqajn bandit, thotë se Haki Abazi ka lëndime fizike

E publikuar: 11/09/2019 23:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetvëendosje ka reaguar pasi kandidati i saj për deputet, Haki Abazi, tha se pas emisionit Pressing, duke dalë nga studio, Dardan Molliqaj nga koalicioni PSD-AAK e ka sulmuar fizikisht.

VV shkruan se ‘banditët nuk e kanë vendin në debate televizive’, ndërsa Molliqajn e kanë cilësuar si kandidat të AAK’së. Aty thuhet se Abazi ka marrë lëndime fizike nga Molliqaj.

Shkrimi i plotë i VV’së:

Banditët nuk e kanë vendin në debate televizive

Pas emisionit “Pressing” në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesit e tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë.

Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë.

Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët.

Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë.

Qëndrojmë në mbështetje të plotë të z. Haki Abazi, dhe të cilitdo aktivist që është sulmuar me dhunën e tyre verbale e fizike.