Vetëm Bushi u mbijeton ndryshimit të trajnerëve të grupmoshave nga FSHF-ja

E publikuar: 27/11/2018 07:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata Shqiptare e Futbollit vendos të ndryshojë thuajse të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave.

I vetmi i konfirmuar me sa duket do të jetë Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-21, ndërkohë që do të ndryshohen të gjithë trajnerët e ekipeve të tjera – bën të ditur Top Channel.

Largohet Erjon Bogdani nga ekipi kombëtar U-19, për t’u zëvendësuar nga Nevil Dede.

Po ashtu, largohet Xhemal Mustedanagiç si trajner i kombëtares U-17, i cili ka marrë postin e drejtorit të ekipeve kombëtare. Në vendin e tij është emëruar Elvin Beqiri, ndërsa Armand Damo ka marrë drejtimin e ekipit U15.

Në këtë mënyrë janë ndryshuar të gjithë trajnerët dhe arsyeja ka qenë “rezultatet jo të mira”.

Trajnerët e sapoemëruar do të jenë me kohë të plotë dhe do të kenë si kusht, për shtyrjen e kontratës së tyre në vazhdimësi, kualifikimin në aktivitetet përkatëse.

Ende nuk dihen detaje të tjera, pasi prezantimi i tyre do të bëhet ditën e nesërme nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku do të mësohet më tepër rreth objektivave dhe ndryshimeve që do të bëhen.