Veseli: Liberalizimi i vizave është çështje teknike, jo politike

E publikuar: 07/11/2018 12:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se, liberalizimi i vizave është çështje teknike dhe jo politike.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me grupet parlamentare, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se liberalizimi i vizave është e drejtë e qytetarëve të Kosovës dhe Bashkësia evropiane duhet të reflektojë rreth kësaj çështjeje.

“Para nesh është liberalizimi i vizave. Bashkësia evropiane duhet të reflektojë që qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin lirshëm. Ne nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë që si evropianë të lirë, si perëndimorë të lëvizim lirshëm. Kjo është e drejta jonë. Askush nuk ka të drejtë që askënd ta privojë nga një e drejtë”, ka thënë Veseli raporton EO.

Veseli tha se janë shtuar zërat që çështja e liberalizimit është politike dhe, sipas tij, kjo i godet vlerat e Bashkimit Evropian.

“Vetë ardhja e kancelarit austriak në Kosovë është lajm i mirë. Ne presim që Austria të procedojë në Këshillin e Ministrave për çështjen e liberalizimit. Deri tani na është thënë se liberalizmi është çështje teknike dhe tash janë shtuar zërat që është çështje politike dhe kjo është goditje e vlerave të Bashkimit Evropian. Ky është racizëm i skajshëm”.