Veseli e quan të drejtë vendimin e Kushtetueses për “Trepçën”, pret kthimin e Srpskës

E publikuar: 31/10/2016 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Trepçën, me anë të secilës është refuzuar kërkesa e Listës Serbe për ta kontestuar këtë ligj, sot pasdite kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka komentuar duke thënë se ky vendim është pozitiv pasi që sipas tij, Trepça është aset ekonomik vetëm i Kosovës.

Veseli shtoi se nuk do të lejohet që në asnjë mënyrë të politizohet “Trepça”, teksa ka shtuar se shpreson që kolegët nga Lista Serbe do t’i rikthehen Kuvendit,shkruan Koha.net.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vendim i drejtë, vendim pozitiv edhe pse nuk jam i thirrur t’i komentojë vendimet e Gjykatave tona, ajo çka është kryesore ne presim mirëkuptimin e të gjithëve se ‘Trepça’ është aset vetëm i Kosovës, i qytetarëve të vet pa dallime në komunitete. ‘Trepça’ e ka të ardhmen vetëm ekonomike dhe nuk do të lejojmë në asnjë moment të politizohet diçka e cila është ekonomike”, ka thënë Veseli, përcjell ksp. “Kolegët e mi të cilët janë nga Lista Serbe, shpresojmë që shpejt do të kryejnë punë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha tutje kreu i Kuvendit.

Këto komente i dha Veseli pas takimit me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.