Vendimi për Tahirin, reagojnë Rama, Basha e Kryemadhi

E publikuar: 12/05/2018 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila vendosi masën “arrest shtëpie” për ish ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, kryeministri shkruan se “vendimi i sotëm për ish ministrin Tahiri nuk komentohet por respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë”.

“Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike adiplomatike,” përfundon kryeministri Rama.

Reagime kanë ardhur edhe nga partitë politike opozitare.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, kreu i opozitës Lulzim Basha e ka cilësuar vendimin e gjykatës për ish-ministrit Tahiri si një vendim të politikës dhe jo të drejtësisë.

“Arresti i shtëpisë i Saimir Tahirit nuk është vendim i drejtësisë, por vendim politik i Edi Ramës. Ky është dorëzimi i kontrolluar që paralajmëruam vetëm 3 ditë më parë, pjesë e paktit mafioz Rama-Tahiri. Saimir Tahiri duhet të ishte sot në qeli dhe jo në arrest shtëpie. Qeveri partnere kanë sjellë javët e fundit të tjera prova që rikonfirmojnë se Saimir Tahiri ishte pjesë aktive e organizatës kriminale të Habilajve për trafikun e drogës”, ka thënë Basha.

Tutje, ai tha se arresti i shtëpisë për Saimir Tahirin është mashtrimi i radhës i Edi Ramës ndaj shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Kjo është po kështu prova se lëvizjet e paligjshme në prokurori kanë për qëllim mbylljen e dosjes Tahiri. Tahiri nuk burgoset dhe as nuk dënohet sepse e mbron dhe e ruan Rama. Sepse Tahiri dhe Rama janë një”, përfundoi Basha.

Reagime erdhën edhe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila në një status në FB, thotë se drejtësia vdiq, ndërsa vendin ia ka lënë përballjes së bandave dhe grupimeve në PS.

“E kisha thënë! Rilindasit janë bërë shumë të parashikueshëm! Gjithë ai nxitim; hiq, shkarko, shantazho, këtu do të dilte, për më tepër në ditën kur vëmendja e publikut është te ministri aktual dhe përgjegjësitë e tij, del në skenë ish ministri. Një figurë e djegur, që përdoret dhe shantazhon sipas rastit ish kolegët! Tashmë drejtësia vdiq plotësisht për t’ia lënë vendin përballjes së bandave dhe grupimeve në PS. Tashme padrejtësia është përballë popullit , sepse drejtësia ka mbetur peng në duart e Edi Ramës dhe bandës së tij,” përfundoi Kryemadhi.