Vdekja e dyshimtë e Dafina Zhubit

E publikuar: 20/02/2016 10:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mbrëmjen e 17 shkurtit, në një banesë në lagjen “Emshir”, në Prishtinë, u gjet e vrarë 34-vjeçarja Dafina Zhubi. As familjarët e as Policia nuk kanë informacione të sakta nëse u vra apo u vetëvra ajo.

Heshtja dhe mërzia e kishte pllakosur të premten në mëngjes shtëpinë e familjes Zhubi, që gjendet pak metra larg qendrës së qytetit në Gjakovë. Në një dhomë të vogël, kryefamiljari Selim Zhubi, bashkë edhe me disa burra të tjerë po prisnin për kryeshëndoshë për 34-vjeçaren, Dafina Zhubi, e cila dy ditë më parë u gjet e vdekur në një banesë në Prishtinë.

Burrat e familjes që ishin ulur në krye të vendit për të pritur ngushëllime flisni fare pak. Ata kryesisht falënderonin të ardhurit dhe përsëri ulnin kokën, duke u ballafaquar kështu me mërzinë për humbjen e bijës së tyre. “U mërzitëm, por çka kemi me ba? Kjo qenka jeta”, thoshte mes tjerash Selim Zhubi, babai i Dafinës tashmë të ndjerë. Megjithatë, as Selimi e askush prej të pranishmëve tjerë nuk pranuan të flasin më shumë rreth ngjarjes tragjike dhe mënyrës së vdekjes së bijës së tyre, Dafina. “Jo, jo s’kam çka them”, shtoi ai kur iu kërkua të fliste për këtë temë nga gazeta.

Ndonjë informacion për Dafinën apo për atë se çfarë i ka ndodhur asaj mbrëmjen e 17 shkurtit nuk pranuan ta japin as kushërinjtë e saj, të cilët ishin grumbulluar tek hyrja kryesore e banesës së vogël e familjes Zhubi./zeri/.