Vazhdojnë angazhimet në funksion të kampanjës vetëdijesuese kundër trafikimit me qenie njerëzore

E publikuar: 05/11/2019 16:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kuadër të kampanjës vetëdijesuese kundër trafikimit me qenie njerëzore, që është duke u mbajtur në Kosovë, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në mbështetje të Terre des Hommes sot me datën 5 nëntor 2019, në Prishtinë, ka organizuar tryezën që për qëllim ka pasur fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke përfshirë edhe bashkësitë fetare.

Pjesmarrës në këtë tryezë kanë qenë përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme, si zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Zyra e Avokatit të Popullit, ndërsa nga bashkësitë fetare prezentë kanë qenë zyrtarë nga kryesia e Bashkësisë Islame (BIK), zyrtarë nga kisha ortodokse serbe në Kosovë, si dhe organizatat joqeveritare Terre des Hommes dhe Caritas Kosova.

Hapja e tryezës u bë nga Policia e Kosovës, duke paraqitur trendin e trafikimit dhe rëndësinë e bashkëpunimit për ta parandaluar këtë dukuri, pastaj secili nga pjesmarrësit bëri një prezantim nga këndvështrimi i institucionit që përfaqësonte, duke e vlerësuar lart organizimin e tryezës dhe nevojën e domosdoshme për bashkëpunim. Tryeza ka vazhduar me prezantim të statistikave, zhvillimin e debatit dhe nxjerrjen e rekomandimeve.

Gjatë kësaj tryeze u parashtrua nevoja dhe gatishmëria e secilit që të fuqizojë bashkëpunimin dhe të jenë pjesmarrës aktivë në të gjitha aktivitetet, si qendrore ashtu edhe lokale, në parandalimin e kësaj dukurie si një e keqe që rrezikon vendin tonë./Infosot/