Vakuumi në kreun e Revizionit, pengesë për luftimin e korrupsionit

E publikuar: 29/09/2019 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përderisa institucioni më i rëndësishëm që kontrollon formën e shpenzimeve të mjeteve nga arka e shtetit, Enti Shtetëror i Revizionit, për gati dy vjet vazhdon të mbetet pa drejtor, sipas ekspertëve të fushës, është e kuptueshme që lufta kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, nuk po sjell rezultatet e dëshiruara.

Enti Shtetëror i Revizionit nuk ka drejtor, për shkak se partitë në pushtet dhe ato opozitare, nuk po arrijnë t’i tejkalojnë dallimet rreth asaj se cili është kandidati më i përshtatshëm për ta drejtuar këtë institucion.

Partia opozitare VMRO-DPMEN vlerëson se kreu i Revizionit, duhet të propozohet nga një parti opozitare dhe një gjë e tillë të bëhet me ligj që edhe në të ardhmen të aplikohet një gjë e tillë, por sipas kësaj partie, për pushtetin aktual, një propozim i tillë është i papranueshëm.

Institucioni i Revizionit është një organ, që shpërben si mjet i Kuvendit, për të kontrolluar të gjitha institucionet shtetërore dhe qeveritare.

Ish-anëtari i Komisionit anti-korrupsion, Arif Musa, thotë për Radion Evropa e Lirë se përderisa Enti Shtetëror i Revizionit mbetet pa drejtues, pamundësohet edhe përforcimi i kapaciteteve dhe efikasiteti i këtij institucioni, që të kryejë revizion të jashtëm, në përputhje me detyrimet që shteti ka marrë nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që të luftojë korrupsionin.

“Mungesa e kreut të institucionit të Entit Shtetëror të Revizionit, absolutisht paraqet pengesë shumë e madhe për luftën kundër korrupsionit dhe parqet në një formë hapje të dyerve për keqpërdorimin e mjeteve buxhetore nga institucionet shtetërore”, thotë Musa.

Nga ana tjetër, eksperti Borçe Trenkovski, thotë se në krye të këtij institucioni do të duhej të zgjidhej një ekspert i pavarur, përmes një procedure transparente.

“Raportet qe dalin nga Enti Shtetëror për Revizion nuk janë të rëndësishme vetëm për shkak se në bazë tyre iniciohen edhe procedura gjyqësore për shkelje dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, por reagimi në kohë i këtij institucioni ndihmon shumë në disiplinimin e institucioneve të pushtetit qendror e lokal, që të jenë të kujdesshëm në shpenzimin e mjeteve të taksapaguesve.pushtetit qendrorë dhe atij vendor për të qenë të kujdesshëm në shpenzimin e mjeteve nga taksapaguesit. Paralizimi u këtij institucioni, paralizon në masë të madhe edhe kontrollin financiar të institucioneve”, thotë ai.

Revizioni është njëri nga kushtet që Maqedonia e Veriut ka për anëtarësim në BE. Enti Shtetëror i Revizionit është një mjet i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, për të kontrolluar institucionet shtetërore dhe ato qeveritare.