UEFA vlerëson rezultatet e Dritës dhe Prishtinës, Kosova fillon ngritjen e madhe në Evropë

E publikuar: 06/07/2018 16:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drita dhe Prishtina i kanë bërë nderë futbollist të Kosovës dhe kjo është konfirmuar edhe nga vet UEFA.

Kalkulatori i koeficientëve të UEFA-s që bën përllogaritjen e koeficientëve të vendeve anëtare të UEFA-s është befasuar nga skuadrat e Kosovës.

Drita e fitoi turneun para kualifikues të Ligës së Kampionëve në Gjibraltar

Prishtina dhe Drita me kualifikimet e tyre kanë bërë që Kosova të ngjitet në vendin e 53-të të klasifikimit të shteteve në këtë ranglistë të UEFA-s, ku Kosova startoi para dy vitesh prej pozitës së 55-të.

Triumfet e Prishtinës në Europa League dhe të Dritës në Ligën e Kampionëve, ku dy skuadrat tash do të luajnë në rrethin e parë të garave respektive, ka bërë që Kosova për sezonin 2018/2019 të jetë në vendin e gjashtë të vendeve më të suksesshme në garat evropiane.

Prishtina deklasoi nënkampionin e Gjibraltarit, Europa FC në ndeshjen kthyese.

Vetëm ekipet nga Franca Gjermania, Italia, Anglia dhe Spanja llogaritet të kenë bërë më mirë për sezonin 2018/2019 teksa ende rrethet e garave evropiane nuk kanë filluar, por Kosova doli me faqe të bardhë nga kualifikimet.

“Rezultatet e ekipeve të Kosovës nuk duhet të nënvlerësohen. Drita dhe Prishtina kanë avansuar në rrethin tjetër e Kosova shumë shpejt po lëvizë nga pjesa e postme e llogaritjeve të koeficientëve për shtetet anëtare të UEFA-s”, shkruan në një postim të UEFA-s në Twitter.

Aventura e klubeve nga Kosova në garat e UEFA-s vazhdon javën e ardhshme.

Të martën në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, kampioni i Kosovës, Drita, e pret kampionin suedez, Malmon.

Menjëherë të mërkurën në rrethin e parë të Europa League, Prishtina zhvillon ndeshjen e parë ndaj Fola Esche në Luksemburg.

Suksesi dhe serioziteti i Dritës e Prishtinës mund t’ia sjellë Kosovës qysh nga sezoni i ardhshëm edhe një vend për skuadrën që përfundon e treta në kampionat. /Telegrafi/