Twitter: Kemi mbyllur 200 llogari të lidhura me Rusinë

E publikuar: 30/09/2017 02:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania Twitter u tha të enjten komisioneve të inteligjencës të Dhomës dhe Senatit se kishte mbyllur më shumë se 200 llogari, pasi kishte përcaktuar se ato ishin të lidhura me Rusinë dhe përpiqeshin të ndërhynin në politikën e SHBA.

Seancat me dyer të mbyllura pasuan njoftime të ngjashme më parë këtë muaj me kompaninë Facebook, që gjithashtu ka rënë dakord t’u dorëzojë ligjvënësve 3,000 reklama të vendosura në platformat e këtij rrjeti social, reklama që janë të lidhura me Rusinë dhe ku bëhen përpjekje për të krijuar përçarje sociale dhe politike mes amerikanëve.

Komisionet po shqyrtojnë përhapjen e lajmeve të rreme nëpër këto rrjete sociale. Në rastin e Twitter, kjo përfshin shqyrtimin e të ashtuquajturave llogari robot që janë hapur për të përhapur shpejt dhe automatikisht informacionin.

“Nga rreth 450 llogaritë që Facebook kohët e fundit ka vënë në dispozicion si pjesë e shqyrtimit të tyre, ne arritëm në përfundimin se në Twitter kishte 22 llogari korresponduese. Të gjitha këto llogari të identifikuara tashmë u pezulluan menjëherë për thyerjen e rregullave tona, njoftoi kompania Twitter në një postim në blog të enjten pasdite.

“Përveç kësaj, nga ato llogari gjetëm 179 llogari të tjera, të lidhura ose të ndërlidhura, dhe ndërmorëm veprime për ato që ishin në kundërshtim me rregullat tona”.

Twitter tha gjithashtu se faqja ruse e lajmeve RT shpenzoi 274.100 dollarë për reklama në platformën e Twitterit në vitin 2016.

Por, pavarësisht këtyre, disa ligjvënës thanë se ishin të zhgënjyer me trajtimin e problemit nga kompania Twitter.

Kongresmeni demokrat Adam Schiff i Kalifornisë tha: “Shumica e informacionit që Twitter përdori për të identifikuar llogaritë e lidhura me Rusinë, erdhën nga analiza e bërë nga Facebooku dhe është e qartë se Twitterit i mbetet mjaft punë e rëndësishme ligjore për të bërë për të kuptuar thellësinë dhe gjerësinë e aktivitetit rus gjatë fushatës.”

Takimet me kompanitë e teknologjisë deri më tani kanë qenë të mbyllura për publikun, por komisionet e inteligjencës të Dhomës dhe të Senatit po planifikojnë të mbajnë dëgjime publike në lidhje me përdorimin e rrjeteve sociale për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.

Në një raport më parë këtë vit, agjencitë e inteligjencës amerikane thanë se presidenti rus Vladimir Putin kishte urdhëruar një fushatë ndikimi që vinte në shënjestër zgjedhjet në SHBA në mënyrë që të rritnin shanset e zotit Donald Trump për të fituar presidencën duke dëmtuar fushatën e rivales së tij demokrate Hillary Clinton.

President Trump ka shprehur skepticizëm për këto përfundime. Në muajin korrik, ai tha: “Mendoj se mund të ketë qenë Rusia, por mund të kenë qenë edhe vende të tjera”.

Presidenti, i cili shpesh ka kritikuar mediat, tha të mërkurën në Twitter se Facebook ka bashkëpunuar me kompanitë e lajmeve televizive dhe gazetat kryesore në SHBA-së për të punuar kundër tij gjatë zgjedhjeve.

“Trump thotë se Facebooku është kundër tij, liberalët thonë se ne e kemi ndihmuar zotin Trump; pra të dyja palët janë të pakënaqura me idetë dhe përmbajtjen që nuk e pëlqejnë”, tha shefi ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg duke iu përgjigjur komentit në Twitter të zotit Trump. /VOA