Tusk: BE-ja t’i përmbushë detyrimet ndaj Maqedonisë së Veriut

E publikuar: 17/09/2019 17:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk e ka lavdëruar Maqedoninë e Veriut për përmbushjen e detyrimeve në procesin e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se tani e njëjta i takon edhe Brukselit.

Këto komente Tusk i bëri në Shkup në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Maqedonia e Veriut, dy vjetët e fundit ka bërë gjithçka çka pritej prej saj. Tani e ka radhën Evropa që të përfundojë pjesën e saj të detyrimeve”, tha Tusk.

Ai porositi liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’i kryejnë detyrat ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Më lejoni të shprehem përmes një metafore. Procesi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më shumë është maratonë sesa një vrap në 100 metrash. Si vrapues i përkushtuar e di se çka flas. Që të arrini deri te finishi nevojitet forcë, përkushtim dhe fokusim. Nuk kam dyshim se Maqedonia e Veriut disponon mjaftueshëm këto kualitet dhe këtë mbetet ta vlerësojnë të tjerët” .

“Shkupi është vendi më i mirë nga ku dua t’u bëj thirrje udhëheqësve të BE-së që tani ju duhet të bëni pjesën tuaj sepse Maqedonia e Veriut tashmë ka bërë pjesën e vet”, tha Tusk.

Vizita e presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk në Shkup, vjen vetëm pak kohë përpara vendimit që duhet të marrë Brukseli për të caktuar ose jo datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, me ç’rast, miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike mbetet “çelësi” kryesor.

Tusk tha se nuk ka dyshime në Bruksel, për sa i përket përkushtimit të Maqedonisë së Veriut në luftën kundër korrupsionit.

Në këtë drejtim, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se rasti “Reketi” dhe debati për Ligjin për Prokurorinë Themelore Publike, paraqesin test për gjyqësorin dhe për suksesin e reformave.

“Rasti ‘Reketi’ paraqet një test të fuqishëm për gjyqësorin dhe realizmin e reformave. Zgjidhja institucionale e këtij rasti dhe të gjitha rastet e tjera që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, do të dëshmojë pavarësinë e sistemit gjyqësore dhe vullnetin e qartë politik për luftën kundër korrupsionit. Kjo është mënyra evropiane. Kjo paraqet mënyrën e shtetit ligjor dhe sundimin e drejtësisë”, tha Zaev, duke shprehur bindjen e tij se do të tejkalohen të gjitha pengesat, me qëllim që në muajin tetor të nisin bisedimet për anëtarësim.

“Pritjet tona për Këshillin e BE-së më 15 tetor dhe Këshillin Evropian më 17 tetor, janë miratim i vendimit për hapjen e bisedimeve pa anulime të mëtutjeshme. Tusk do të kryesojë me ne në atë seancë historike. Për këtë në detaje jemi duke e njoftuar për të gjithë përpjekjet tona në dy vjetët e kaluara, por edhe 15 vjetët si shtet kandidat për anëtarësim në BE”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Mandati i presidentit aktual të Këshillit Evropian skadon më 1 dhjetor. Paraardhësi i Donald Tuskut në këtë pozitë do të jetë kryeministri belg, Charles Michel.