Trumpi zotohet se nuk do t’i urdhërojë amerikanët që të bartin maska

E publikuar: 18/07/2020 09:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është zotuar se nuk do t’i urdhërojë amerikanët që të përdorin maska për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Komentet e tij erdhën pasi eksperti kryesor për sëmundje ngjitëse në ShBA, Anthony Fauci, u bëri thirrje liderëve shtetërorë dhe lokalë që të jenë sa më këmbëngulës që është e mundshme që njerëzit të përdorin maska.

Fauci tha se përdorimi i maskave është vërtet i rëndësishëm dhe se të gjithë duhet t’i përdorin ato, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Shumica e guvernatorëve tashmë kanë urdhëruar që përdorimi i maskave të jetë i detyrueshëm në mjedise të hapura. Në mesin e tyre janë edhe disa guvernatorë republikanë, përfshirë guvernatoren e Alabamas, Kay Ivey, të cilët fillimisht e kishin kundërshtuar këtë vendim.

Presidenti Trump, i cili më parë i kishte rezistuar vendosjes së maskës, u pa me të për herë të parë të shtunën e kaluar.

Megjithatë, duke folur për një televizion të premten, ai tha se nuk pajtohet rreth obligimit mbarëkombëtar për vendosje të maskës, duke thënë se njerëzit duhet të kenë një liri të caktuar.