Tri partitë opozitare takohen për 18 prillin

E publikuar: 13/04/2015 09:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Liderët e tri partive opozitare do të mblidhen sërish për t’i harmonizuar veprimet për protestën e 18 prillit. Takimi i treshes opozitare do të mbahet në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Secili prej udhëheqësve të këtyre subjekteve politike është duke u bërë thirrje anëtarësisë që të dalin në mënyrë sa më masive në protestë, raporton Gazeta Tribuna.
Motoja e protestës të së shtunës është: “Kundër kapjes së shtetit”.

Protesta thirret edhe në disa qëllime të tjera, por më kryesoret janë kundërshtimi i çmimit të lartë të energjisë elektrike, heqja e kontrollit të pushtetit në RTK, zhbllokimi i sistemit të drejtësisë si dhe kundërshtimi i krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se protesta nuk është thirrur për të thyer xhama të Qeverisë, por për ta bërë që të reflektojë e të kundërpërgjigjet me argumente se po punon.

Ndërsa lideri i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj ka thënë se subjekti i tij nuk është kundër individëve por kundër fenomeneve negative./Gazeta Tribuna/