Trajkoviq: Ndihem më e sigurt në Prishtinë sesa në veri të Mitrovicës

E publikuar: 06/12/2018 15:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rada Trajkoviq ka thënë se ndihet më e sigurt në Prishtinë se në veriun e Kosovës.
Kryetarja e OJQ-së “Lëvizja Evropian në Kosovë”, dhe njëherit ish-deputetja në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq ka thënë se ndihet më e sigurt në Prishtinë se në veriun e Kosovës.

Ajo bëri deklaratën në tribunën “Jetët dhe fatet në Kosovë – linjat e ndarjes”, e mbajtur në shtëpinë e gazetarit Xhura Jakshiq në Beograd, transmeton lajmi.net.

“Filloi me shkatërrimin e kutive në raundin e parë të zgjedhjeve në fund të vitit 2013, dhe përfundoi me vrasjen e një kandidati për kryetar në raundin e tretë të zgjedhjeve më 16 janar të vitit 2014. Kjo nuk është vrasja e fundit politike në Mitrovicë. Pikërisht katër vjet më vonë, është vrarë politikani i opozitës Oliver Ivanoviq. Prej atëherë, tensionet vetëm sa janë rritur”, tha ajo.

“Unë ndihem më e sigurtë në Prishtinë ku nuk janë as 40 serbë, sesa në veri të Mitrovicës. Neve na është vrarë miku, një njeri që ka menduar se mund të jetojmë së bashku, që donte ta ndante politikën nga mafia”, u shpreh ajo.