Tirana tronditet nga një shpërthim i fuqishëm bombe!

E publikuar: 29/05/2015 22:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një shpërthim i fuqishëm me lëndë eksplozive ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të zonës së “Vasil Shantos” ku mësohet se tritoli është vendosur në katin e parë të një godine në ndërtim.

Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, dhe ishte i vendosur në njërën kolonë të ndërtesës, ku si rezultat i shpërthimit kanë mbetur të plagosur edhe kalimtarë të rastit. Banorët kanë dëgjuar shpërthimin dhe kanë telefonuar menjëherë policinë.

Uniformat blu dhe autoambulancat kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Fillimisht u raportua për një shpërthim në një lokal por pas verifikimeve bëhet e ditur se është një godinë në ndërtim.

Nga pistat e hetimit dyshohet se kjo ngjarje të ketë lidhje me masakrën e ndodhur pak ditë më parë tek Materniteti i Vjetër. Megjithatë kjo mbetet për t’u verifikuar, pasi pista tjetër e hetimit dyshohet të jenë problemet e pronarit të godinës në ndërtimin e saj.