Thaçi: Vetëvendosje organizatë kriminale, unë nuk e solla Pacollin

E publikuar: 29/04/2020 22:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur Lëvizjen Vetëvendosje ndërmarrje kriminale teksa ka mohuar deklarimet se ai ka sjellë deputetin Behgjet Pacollin në Kosovë.

Në një deklaratë për “RTV Dukagjinin”, Thaçi ka thënë se ai tash gjendet në shtëpi, ndërsa ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla mund ta vizitojnë.

“Që nga çlirimi i Kosovës e deri dje kur kam dalë e hyrë në relacionin Kosovë-Shqipëri kam hyrë në procedurat e njëjta tash e 20 vjet. Ndërsa për interesimin e Sveçlës dhe Kurtit, si ndërmarrje kriminale që është shndërruar, dhe që u intereson lokacioni im, unë jam në shtëpi. Edhe sa i përket masave të tjera, duhet të mendojnë që të mos krijojnë konfuzion, shpifje, marrëzira dhe të mos kërcënojnë njerëz të politikës e as deputetë e kësaj radhe as zotin Pacolli që janë duke e intimiduar. Lokacioni im është në shtëpi. Për ministrin dhe shefin e tij dhe gjithë ndërmarrjen kriminale të tyre. Le të vijë bashkë me Kurtin. Është shpifje tjetër ordinere (kthimi me Pacollin) por edhe kërcënim e shantazh që i bëhet deputetëve e të tjerëve në Kosovë në këtë kohë të këtyre njerëzve të çoroditur që të përngjan në njerëz të viteve të 70-a të sistemeve moniste dhe ndjekjeve politike. Ftoj të gjithë për urtësi e bashkëpunim”, ka deklaruar Thaçi.