Thaçi s’do ta takojë Lajçakun nëse diplomati sllovak s’ka diçka konkrete për të thënë

E publikuar: 16/06/2020 10:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se s’do ta takojë të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili pritet të mbërrijë sot në Kosovë për qëndrim 3-ditor, nëse ai nuk ka diçka konkrete për të thënë.

Thaçi në konferencën e sotme për media, ka thënë se “koha e hulumtimeve dhe e ligjëratave ka përfunduar”.

“Lajçak ende nuk është në Kosovë, kur të mbërrijë do të komunikojnë ekipet tona dhe do të shohim. Nëse z. Lajçak ka diçka konkrete për të thënë, jam i gatshëm të takohem. Përndryshe nuk ka arsye. Nëse ka ardhur në Kosovë për të hulumtuar terrenin, atëherë s’ka nevojë për këtë. Lajçka duhet të jetë i qartë, të tregojë se çfarë qëndrimi ka BE-ja për liberalizimin e vizave për kosovarët. Kjo na duhet më tepër se ligjëratat e pafundme. Nëse jo, atëherë do të jetë mision i pasuksesshëm i tij”, tha Thaçi, raporton KOHA.