Thaçi pasi konkluzioneve, kritikon BE-në dhe Qeverinë Haradinaj

E publikuar: 19/06/2019 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
AFP

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar rreth konkluzioneve nga Këshilli Europian për vendimet e tyre rreth Ballkanit Perëndimor, ku ka thënë se ata kanë probleme të brendshme për të cilat nuk ka faj Kosova.

“Me shqetësim i kam lexuar konkluzionet zhgënjyese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian”.

“Shihet qartë që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës”.

“Ne nuk jemi fajtorë për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqesim asnjë rrezik për BE-në”.

“Prandaj, ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj”, ka shkruar i pari i shtetit në Facebook, njofton Klan Kosova.

Tutje ai ka thënë se Kosova nuk ka pasur kërkesa të mëdha por që as ata nuk janë plotësuar teksa ka kritikuar BE-në dhe Qeverinë Haradinaj.

“Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale”.

“Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës”.

“Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit”.

“Unë ftoj liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO”.

“Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”.