Thaçi, nga java tjetër i nis konsultimet me partitë

E publikuar: 25/07/2019 17:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, javën e ardhshme do të nisë konsultimet me partitë politike në vend për caktimin e datës së re të zgjedhjeve të parakohshme, shkruan Gazeta Express.

Kjo lëvizje e tij vjen pas gjashtë ditësh, prej kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Njoftimi i plotë:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë.

Për më tepër, duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore. Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore.

Presidenti i Republikës së Kosovës i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit.