Thaçi në Këshill të Sigurimit dënon dhunën e përdorur në Maqedoni

E publikuar: 26/05/2015 17:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës ka filluar fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ai ka falënderuar Kombet e Bashkuara për rolin pozitiv që kanë pasur në rindërtimin dhe shtet-ndërtimin e Kosovës, duke thënë se që nga Serxho Di Mejo i ndjerë që ka shërbyer më 1999, e deri tek miku i Kosovës Farid Zarif që shërben sot, Kosova ka pasur një progres të pa precedent në historinë moderne evropiane.

Thaçi ka folur për fluksin e madh të emigrantëve në fillim të këtij viti, duke shprehur pakënaqësi te Serbia për hapjen e kufijve me Hungarinë. Ai ka theksuar se ka shumë incizime në Internet, që dëshmojnë se policia serbe merrte edhe bakshishe për të ndihmuar imigracionin ilegal.

“Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti ne kemi pasur një fluks të madh emigrantësh nga Kosova që shkuan në disa shtete të Unionit Evropian në kërkim të një jete më të mirë, të ngashënjyer me thashetheme të rrejshme për azil të garantuar. Ne kemi qenë të pakënaqur me fqinjën tonë, Serbinë, që për dy muaj të tërë ka lënë kufijtë e hapur me Hungarinë dhe ka shumë incizime në Internet, ku policia serbe merrnin bakshish për të ndihmuar imigracionin ilegal. Pas fushatës tonë sensibilizuese për opinion, e cila ka demaskuar tregtarët me njerëz, si dhe masave që kanë ndërmarrë Gjermania, Austria dhe Hungaria, ne kemi zbritur 95% nivelin e emigracionit për një muaj dhe Kosova ka marrë lavde edhe nga Komisioni Evropian për këtë zbritje spektakulare në kontroll të emigracionit ilegal”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.

Ai ka theksuar edhe pritshmëritë e kosovarëve te Unioni Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, si shtet i fundit në Ballkan që ende ka nevojë për viza Shengen. “Liria e lëvizjes është një nga faktorët kyç që rrit frustrimin e kosovarëve”, ka thënë Thaçi.

Thaçi: Serbia të heq dorë nga propaganda destruktive

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, në vazhdim të fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka kërkuar që pala serbe të jetë më serioze në procesin e dialogut dhe të mos angazhohet në propagandë destruktive, e cila shpesh e rrezikon edhe procesin e dialogut. “Unë jam takuar gati 40 herë me lidershipin serb dhe me ministrin e Jashtëm Daqiç dhe dua të besoj se kanë kaluar kohërat e propagandës raciste kundër Kosovës. Ne duhet të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të flasim si fqinjë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka treguar se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur edhe marrëveshja për mbyllje të strukturave ilegale të Serbisë në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe për integrimin e juristëve dhe gjykatësve serbë në veri në sistemin unik të drejtësisë së Republikës së Kosovës. “Me çdo marrëveshje të re dhe me çdo hap të dialogut ne po arrijmë të normalizojmë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është edhe qëllimi i dy qeverive dhe partnerëve tanë nga Unioni Evropian dhe Amerika, që Kosova dhe Serbia të jenë anëtare të Unionit Evropian duke mos penguar njëra-tjetrën”, ka thënë ai.

Thaçi në Këshill të Sigurimit dënon dhunën e përdorur në Maqedoni

Thaçi në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Maqedoni. Ai ka thënë, se derisa Kosova është forcuar në një shtet stabil dhe plotësisht të dedikuar drejt integrimit evropian, ne kemi pasur zhvillime fatkeqe në rrethinë që mund të kenë implikime për sigurinë rajonale.

“Në Maqedoni kemi pasur një incident të dhunshëm ku kanë vdekur policë dhe persona të armatosur. Nga qeveria maqedone jemi njoftuar se një numër i atyre të vrarëve dhe të arrestuarve janë nga Kosova. Por, më lejoni që para jush sot të jem përsëri i qartë ashtu siç kam qenë edhe në javët e kaluara: Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon dhunën e përdorur në Maqedoni dhe është insistuese që të vetmet zgjidhje për çfarëdo probleme në Ballkan të kërkohen nëpërmjet dialogut dhe pjesëmarrjes në institucione. Ne nuk përkrahim, as nuk do ta përkrahim kurrë asnjë tendencë për të destabilizuar rajonin nga kushdo qoftë. Maqedonia është partnere dhe aleate e Kosovës në integrime në Unionin Evropian dhe NATO dhe ne përkrahim Marrëveshjen e Ohrit si të vetmen kornizë në Maqedoni”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se ka dëgjuar akuzat se Kosova apo Shqipëria po punojnë për një Shqipëri të Madhe, por këto akuza i ka cilësuar si të kota dhe krejtësisht propagandistike. “Më shumë flitet për Shqipërinë e Madhe në Beograd, se në Prishtinë. Ne kemi fituar luftën ndaj regjimit të Millosheviqit. Po ashtu fituam edhe pavarësinë sipas planit të negociatorit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtiaarit. Ne do të arrijmë të fitojmë edhe betejën për integrimin e rajonit në NATO dhe BE. Ata që janë kundër NATO-s dhe Unionit Evropian kanë dëshirë të krijojnë mjegull dhe të rrezikojnë progresin në Ballkan, por ne nuk do të lejojmë që këta veprimtarë kundër NATO-s dhe Unionit Evropian, kudo që gjenden ata, të prishin suksesin e arritur në Ballkan pas pavarësimit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Para përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit, Thaçi ka thënë se Kosova ka përfunduar demarkacionin e kufirit me Maqedoninë dhe për disa javë do ta përfundojë edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe se është shteti i vetëm në ish-Jugosllavi që ka konfirmuar kufijtë me shumicën e fqinjve pa përdorur dhunë dhe pa iu drejtuar gjykatave ndërkombëtare. “Kjo dëshmon se në Kosovë askush nuk flet për ndryshim të kufijve. Ne jemi të orientuar drejt Brukselit ku kufijtë edhe ashtu nuk kanë kuptim. Nuk po angazhohemi për Shqipërinë e Madhe, por për Ballkanin e Madh në kuadër të Unionit të Madh Evropian”, tha zëvendëskryeministri Thaçi. /Indeksonline/