Thaçi kujton 142-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

E publikuar: 10/06/2020 15:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar sot se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizata më e rëndësishme politike, ushtarake dhe ekzekutive për shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit të 19.

Me rastin e 142-vjetorit të themelimit, kreu i vendit ka thënë se Rilindja Kombëtare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe kryengritjet e viteve 1908-1912 janë premisat themelore që çuan në krijimin e shtetit shqiptar.

Postimi i plotë:

Sot kujtojmë patriotët nga të gjitha viset shqiptare që u mblodhën për ta themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila u bë organizata më e rëndësishme politike, ushtarake dhe ekzekutive për shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit të 19.

Edhe pas gjithë këtyre viteve, ideatorët, burrështetasit dhe delegatët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbesin figura frymëzuese për popullin shqiptar.

Rilindja Kombëtare si lëvizje kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit si organizatë politiko-ushtarake dhe kryengritjet e viteve 1908-1912 janë tri premisat themelore që çuan në krijimin e shtetit shqiptar. HTH.