Telefonia celulare vijon tkurrjen, rritet interneti fiks

E publikuar: 22/03/2019 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Shqipëri publikoi raportin e tre mujorit të katërt të 2018-ës të shërbimeve të internetit, telefonisë fikse dhe celulare.

AKEP ka filluar të publikojë periodikisht të dhëna dhe tregues statistikore që prej muajit Prill 2009 përmes faqes në ueb www.akep.al.

Periodiciteti i publikimeve ka evoluar nga raportime vjetore dhe gjashtëmujore në tre mujore duke filluar nga fund i 2014-ës.

Sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike kanë detyrim ligjor të dërgojnë në AKEP të dhëna rreth aktivitetit të tyre.

AKEP publikon treguesit kryesorë të tregut të komunikimeve elektronike duke marrë në konsideratë si natyrën konfidenciale të një sërë treguesve të raportuar nga sipërmarrësit edhe interesat e publikut për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues.

Në tre mujorin e katërt të 2018-ës u vunë re disa tendenca:

  • Numri i pajtimtarëve sipas kartave SIM ra me 10.5% në krahasim me tremujorin paraardhës në 4.14 milionë
  • Numri i përdoruesve aktiv ra me 5% në 2.7 milionë
  • Numri i përdoruesve me akses në internet broadband ra me 8.9% në 1.8 milionë
  • Sasia e trafikut në rrjetet social ishte 14.6 milionë gigabajt
  • Konsumi mesatar për përdorues ishte 188 minuta dalëse, 36 SMS dhe 2.7 GB internet

Telefonia Celulare

Sektori i telefonisë celulare vijon të dominohet nga Vodafone Albania me 1.279 milionë abonentë ndjekur nga Telekom Albania me 1.004 milionë abonentë aktivë dhe ALBtelecom me 431 mijë.

Të gjithë operatorët shënuan rënie konkretisht ALBtelecom me 7.9%, Telekom Albania me 6.9% dhe Vodafone Albania me 2.4%.

Vodafone Albania ka 93% të abonentëve me parapagesë, Telekom Albania 88% dhe ALBtelecom 82%.

Aksesi në internet celular dominohet nga Vodafone Albania me 931 mijë përdorues broadband, ndjekur nga Telekom Albania me 605 mijë dhe ALBtelecom me 272 mijë.

Telefonia Fikse

Numri i pajtimtarëve në tre mujorin e katërt të 2018-ës ishte 248 mijë, një rritje me 1.1% krahasuar me tre mujorin e kaluar.

ALBtelecom ka 177 mijë abonentë, Tring Communications 40 mijë, ABCom 11 mijë, Abissnet 4 mijë dhe Nisatel 4,100.

ALBtelecom zë 71% të tregut dhe të gjithë operatorët rivalë shënuan rënie në numrin e abonentëve fiks gjatë tre mujorit të katërt.

Interneti Broadband

Numri i pajtimtarëve në rrjetet fikse ishte 361,413 në tremujorin e katër të vitit, një rritje e qëndrueshme krahasuar me tre mujorin e kaluar prej 8.7%.

ALBtelecom kryeson me 129,329 pajtimtarë, ndjekur nga ABCom me 64,020 pajtimtarë, Tring e 49,359 pajtimtarë, Abissnet me 37,055 pajtimtarë, Digicom me 14,322 pajtimtarë dhe Nisatel me 13,473 pajtimtarë.

ALBtelecom dikur lideri i tregu sot zë vetëm 35.8% të tregut.

Së fundi numri i pajtimtarëve në shërbime të integruara ka arritur në 224,859 pajtimtarë ku 91,599 kanë telefoni fikse dhe internet, 107,176 kanë telefoni fikse, internet dhe TV dhe 26,084 kanë internet dhe TV. /PCWorld Albanian